Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se të premten janë vjedhur disa pajisje mekanike në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Lidhur me këtë, Policia më vonë ka sqaruar rastin duke thënë se mjetet e vjedhura, kishin ardhur gabimisht në Aeroport nga një kompani private më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
“Më 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private. Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO”, thuhet në sqarimin policor.
Policia njofton se të premten e 29 janarit, kjo pako nuk është gjetur në depo ku me ç’rast, kanë nisur hetimet në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.
“Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mospranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo. Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore. Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit”, thuhet tutje nga Policia.
Vjedhjen në fjalë, e ka mohuar Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, duke deklaruar se nuk është vjedhur asgjë në këtë institucion.