Punonjësit e Transportit rrugor të udhëtarëve paralajmërojnë grevë

Linjë e trafikut urban të Prishtinës

Të enjten mund të ndërpritet transporti publik i udhëtarëve, nëse Qeveria nuk i ndihmon kompanitë transportuese

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, të enjten mund të futet në grevë, duke ndërprerë qarkullimin, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre nga ana e qeverisë. Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, tha se transportuesit janë të indinjuar se nuk janë përfshirë në pakon e rimëkëmbjes ekonomike, përkundër dëmeve që kanë pësuar nga pandemia e COVID-19.

Si pasojë e humbjeve të mëdha që pësuan nga masat kufizuese kundër koronavirusit dhe mos përfshirjes për përfitime financiare në Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, nga e ënjta, në shenjë proteste, mund të ndërpresin transportin publik. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, përderisa tregoi edhe formën e protestës.

Reklama e sponzorizuar

“Pronarët e kompanive s’do t’i nxjerrin autobusët në rrugë, por do t’i lëmë në shtëpi ose parkingje. Pra, nuk do të ketë asnjë lloj të transportit publik të udhëtarëve, nga dita e enjte, nëse nuk do të realizohen kërkesat minimale për mbijetesë të operatorëve të transportit publik dhe për mbijetesë të të punësuarve të tyre, të cilët janë në pritje të një vendimi qeveritar për ndihmë”, tha ai.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtareve, mbajtjen e protestës e kishte paralajmëruar të enjten e kaluar, kur nga Qeveria, mes tjerash kishte kërkuar subvencionim prej 0.50 centë për kilometër, për operatorët ekonomikë si dhe heqjen e TVSH-së, nga 18% sa është tash.

Kurtishaj tha se janë duke negociuar me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që siç tha, mos të falimentojnë bizneset.

Jemi duke dialogu për të ardhur deri te një zgjidhje që kjo grevë të pezullohet, por deri tash nuk kemi asgjë konkrete. Ata poshikojnë mundësitë buxhetore që të ndihmojnë operatorët e transportit rrugor, të cilët janë në një gjendje shumë të keqe materiale, pasi shumica prej tyre për shkak të mungesës së të hyrave janë futur në borxhe”, tha ai.

Dëmet e shkaktuara nga pandemia janë shumë të mëdha, tha kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj,sipas të cilit këto ndërlidhen me masën kufizuese për përgjysmimin e numrit të udhëtarëve, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.