Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dorëzuar në Qeveri vendimin për dyfishimin e skemës sociale për tre muaj, si dhe vendimin për rritjen prej 30 eurosh të pensioneve që janë nën 100 euro. Ndërsa, përfaqësuesit e bizneseve do t’i drejtohen me një letër kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, lidhur me masat e fundit të aprovuara në Qeveri nga programi i rimëkëmbjes për vitin 2021, të cilat, sipas tyre, nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat e tyre
Prishtinë, 18 janar – Zbatimi i masave nga Programi i rimëkëmbjes për 2021-n, i miratuar të premten, do të varet nga të hyrat buxhetore dhe shfrytëzimi i bilancit bankar. Por, tashmë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka proceduar në Qeveri vendimin për dyfishim të asistencës sociale për janar, shkurt dhe mars, si dhe për rritjen e pensioneve për 30 euro për të gjithë përfituesit e skemave pensionale që marrin shumën deri në 100 euro.
Këto pritet të jenë masat e para nga ky program që do të zbatohet, si dhe masa prej 6.5 milionë eurosh për subvencionimin e pagave për bizneset. Por, kjo e fundit, po shihet e pamjaftueshme nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët thonë se shuma e akorduar nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për sektorin privat.
“Vetë Ligji për rimëkëmbje e përcakton shumën prej 200 milionë eurosh që duhet të shpërndahet drejtpërdrejt për bizneset. Nuk flitet për fusha të tjera që janë skema sociale, pjesa e bujqësisë, pjesa e buxhetit për shëndetësi, për punëtorët e prekur nga pandemia. Këtu e shoh problemin në këtë ndarjen e fundit”, ka theksuar Rukiqi.
Përveç shumës prej 6.5 milionë eurosh për të vetëpunësuarit parashihen 3 milionë euro për sektorët e prekur nga masat e Qeverisë, siç është gastronomia, 5 milionë euro për prodhuesit vendorë dhe 1 milion për stoqet e qumështit dhe produkteve të qumështit.
Në programin e aprovuar parashihet edhe ndarja e 44.5 milionë eurove për Fondin Kosovar për Garanci të Kredive, për rritjen e mbulueshmërisë së kredive të reja dhe lehtësimin e qasjes në financa.
“Ne do t’i shohim mekanizmat dhe do t’i drejtohemi edhe kryeministrit me letër. Ne nuk pretendojmë t’i tregojmë Qeverisë se a t’i rrisë skemat sociale apo për detyra të Qeverisë, por jo që të njëjtat të futen në buxhetin që ne mendojmë se ka qenë i destinuar për ta përkrahur sektorin privat”, ka thënë Rukiqi.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë shkurt se nuk dinë se kur do të bëhet shpërndarja e mjeteve dhe se ajo do të varet nga të hyrat, por edhe nëse do të shfrytëzohet bilanci bankar.
Ligji i rimëkëmbjes është aprovuar më 4 dhjetor në Kuvend, por kostoja e tij nuk është përfshirë në tërësi në buxhetin për 2021.
Aty parashihen vetëm 86 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Ndërkohë, partitë politike, edhe ato që janë në pushtet, nëpër fushata parazgjedhore po proklamojnë shuma miliardëshe në përkrahje të bizneseve.