Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka konfirmuar edhe zyrtarisht marrjen nën administrim të drejtëpërdrejtë të ndërmarrjes shoqërore Agrokosova Holding apo ish NBI Suhareka.
Nga AKP-ja kanë ftuar të gjithë punëtorët aktual të të gjitha profileve, të cilët kanë marrëdhënie pune në ndërmarrjen e re AgroKosova Holding, që të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga vendet e punës.
Më datën 31 janar 2022, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mori vendimin për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen nën administrim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjes së re AgroKosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”), për shkak të mospërmbushjes së zotimeve të marrëveshjes dhe shkeljeve të rënda të kushteve të kontratës, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve, sot është ekzekutuar edhe zyrtarisht vendimi për vendosjen e ndërmarrjes së re AgroKosova Holding (ish NBI Suhareka), nën administrimin të drejtpërdrejt të AKP-së.
Gjithashtu, AKP-ja ftoi të gjithë bujqit të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale me AgroKosovën të vazhdojnë punën, pasi AKP-ja zotohet se do të vazhdojë bashkëpunimin me qëllim të mbarëvajtjes së marrëdhënieve komerciale dhe zhvillimit ekonomik të komunës së Suharekës.
“AKP zotohet se me përkushtimin më të madh do të bëjë përpjekje për të ofruar zgjidhjen më të mirë për ndërmarrjen e re Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka). Në ndërkohë, AKP do të vazhdoj aktivitetin e ndërmarrjes me punëtorët aktual të cilët do të lidhin marrëdhënie pune me AKP-në”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Ndryshe, Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka/AgroKosova Holding”, është privatizuar më datë 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”, përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4 milionë e 175 mijë e 999 eurove.
Ndërkohë, si rezultat i mospërmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP-ja nga viti 2011 deri në vitin 2013, thotë se i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Por, ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor.
Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “AgroKosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga Auditorë të pavarur, ku sipas AKP-së, blerësi dhe Ndërmarrja e Re ‘AgroKosova’ kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017.
Nga auditimi i ndërmarrjes ka dalë se punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve, siç ishte zotimi për punësime sipas kontratës.
Në anën tjetër, shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79% të zotimit për investime përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë EUR 7,378,005.82 nga vlera prej EUR 8,600,000.00 të zotuara sipas kontratës.
“Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime”, thuhej në një njoftim të mëhershëm nga AKP-ja për media.
Gjithashtu, AKP-ja shpjegon se raporti i auditimit të jashtëm ka konstatuar se Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit joligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast, mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes. /Buletini Ekonomik/