Rreth 300 hektarë tokë bujqësore u dëmtuan nga vërshimet në Kamenicë, “asnjë familje nuk ka mbetur pa strehë”

300 hektarë tokë bujqësore janë dëmtuar pas vërshimeve në Kamenicë, ndërsa nga komuna thonë se asnjë familje nuk ka mbetur pa strehë.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga zyra për media kanë thënë se komuna e ka krijuar komisionin, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve në terren.

Ky raport do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës për kompensim të dëmeve.

Reklama e sponzorizuar

“Ne si komunë kemi krijuar komisionin që do të bëj vlerësimin e dëmeve në terren. Pas raportit përfundimtar do t’i kemi të gjitha të dhënat, dhe të njëjtin raport do e përcjellim edhe në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Margarita Rashiti, zyrtare për media në komunën e Kamenicës.

Rashiti po ashtu ka thënë se asnjë familje nuk ka mbetur pa strehë, përkundër dëmeve të shumta që janë shkaktuar nga vërshimet.

“Momentalisht, parashihet që rreth 300ha tokë bujqësore është e dëmtuar nga vërshimet ndërkaq, asnjë familje nuk ka mbetur pa strehë”, ka thënë Rashiti.

Ndryshe, pas vërshimeve në këtë komunë, kryetari Qëndron Kastrati kishte marrë vendim për shpallje të Gjendjes Emergjente.

Po ashtu nga vërshimet është shembur edhe një urë në fshatin Hajnoc të Kamenicë.

Shembja e urës kishte bllokuar rrugën që i lidhë fshatrat Strezoc e Krilevë me Kamenicën.