Përveç kryeqytetit, edhe komunat e tjera kanë marrë vendim që të shpërndajnë subvencion për qytetarët e prekur me COVID-19 e po ashtu edhe për familjet që kanë humbur anëtarë në betejën me koronavirusin.
Komuna e Obiliqit ka vendosur në fillim të muajit dhjetor të vitit që shkoi që të mbështesë qytetarët e prekur me COVID-19 me nga 100 euro, ndërsa familjet që kanë humbur ndonjë anëtar nga ky virus me nga 300 euro.
“Me 18 vota për dhe dy kundër, Asambleja Komunale e Obiliqit ka aprovuar vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve, ku për çdo qytetarë të prekur nga Covid-19 do të subvencionohen me nga 100€, ndërsa qytetarët që kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 300€, gjithmonë duke u bazuar në listat e pacientëve në testimet PCR të IKSHPK-së, ky vendim do të vlejë që nga dita e shpalljes së pandemisë e deri në përfundimin e saj sipas vendimeve të institucioneve shëndetësore”, thuhet në njoftimin e komunës së Obiliqit.
Vendim për t’i ndihmuar qytetarët dhe familjet e prekura nga koronavirusi kishin marrë edhe Komuna e Skenderajt dhe ajo e Dragashit, ku kjo e fundit familjet që kanë humbur anëtar nga COVID-19 i ka ndihmuar me nga 950 euro.
“Kanë filluar edhe përkrahjet nga niveli qendror së fundmi, të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë marrë një përkrahje buxhetore në vlerë të 10 milionë eurove nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilat mjete janë të destinuara në luftë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, mirëpo edhe për përkrahje të familjeve të cilat kanë qenë të prekura nga Covid-19”, ka thënë Sazan Ibrahimi – Drejtor i Asociacionit të Komunave.
Komuna e Drenasit edhe pse hyn në zonën e kuqe për nga numri i të infektuarve, nuk ka marrë ndonjë vendim për t’i ndihmuar me të holla personat dhe familjet e prekura nga koronavirusi.
Në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se Komuna ka shpërndarë pako ushqimore që nga fillimi i pandemisë për të prekurit me COVID-19, si dhe për familjet me gjendje të rëndë ekonomike.
Komuna e Malishevës në fundvit kishte shtuar edhe 145 mijë euro për menaxhimin e situatës pandemike, ndërsa për t’i ndihmuar qytetarët me COVID-19 kjo komunë ka ndarë 50 mijë euro për furnizimin dhe ndarjen falas të medikamenteve për trajtimin e koronavirusit.
Për dallim nga komunat e tjera, ajo e Skenderajt ka njoftuar se do të kompensohen edhe qytetarët që janë testuar në laboratorët privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
KOHA ka dërguar pyetje te komunat, por nuk ka marrë përgjigje nga të gjitha.
Ndërsa edhe pse ka marrë iniciativë si e para, Komuna e Prishtinës ende nuk i ka kryer pagesat për shumicën e qytetarëve të prekur nga koronavirusi.