Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit, Ardian Nrecaj dhe Ali Sefaj, kanë porositur të gjithë qytetarët që nëse në hapësirat ku ata jetojnë synohet të ndërtohet ndonjë hiodrocentral i ri, të ngrenë zërin për të moslejuar degradimin e resurseve ujore. Të dy kanë thënë se Kosova ka arritur në një fazë ku më s’duhet të tolerohen fare shkelje të mundshme lidhur me hidrocentralet.
Në Express Intervistën në KTV, duke folur pas paralajmërimeve për një hidrocentral të ri në Drinin e Bardhë në Prizren, Nrecaj dhe Sefaj kanë thënë se tashmë qytetarët e Kosovës kanë nisur të vetëdijesohen dhe me zërin e tyre mund të parandalojnë ndërtimin e hidrocentraleve të reja.
“Presioni duhet të vijë nga të gjithë mekanizmat. Nëse komuniteti lokal s’është i gatshëm të reagojë dëmi mund të bëhet. Kemi ardhur në një fazë që tashmë duhet ndërpritet dhënia e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, e më pastaj të rishikohen modalitetet për rehabilitimin e tyre e të shihet cilat kanë bërë degradime e të dilet me epilog për ato që s’duhet t’u vazhdohet leja”, ka thënë Sefaj.
Ndërkaq Nrecaj ka thënë se deri tash zërat kundër hidrocentraleve kanë qenë më shumë vetëm lokalë, por ka shtuar se përkrahja e qytetarëve në këtë fushë është rritur dhe se as kërcënimet me padi nuk mund t’i zmbrapsin aktivistët.
Nrecaj, që ka marrë pjesë në dëgjimin publik për hidrocentralin e paralajmëruar në Drinin e Bardhë, ka thënë se pronari është zotuar se nëse qytetarët s’duan të ndërtohet hidrocentrali, ai s’do ta bëjë këtë. Sipas tij, mungesë kryesore është mosvlerësimi i ndikimit në mjedis.
Të dy kanë thënë se nuk ia vlen asgjë që të rrezikohen burimet ujore.
Ata kanë fajësuar edhe komunat për hidrocentralet e shumta në vend duke deklaruar se pa një pëlqim të tyre s’mund të niset asnjë hidrocentral.
“Në secilin degradim, komuna është bashkëfajtore, diku për ndihmesë e diku për neglizhencë”, ka thënë Sefaj.