Apple ka blerë rreth 100 kompani për vetëm gjashtë vite

Gjiganti teknologjik amerikan, Apple, ka blerë rreth 100 kompani gjatë gjashtë vjetëve, bëri të ditur shefi ekzekutiv i kësaj firme, Tim Cook.

Kjo i bie që Apple ka blerë mesatarisht nga një kompani në çdo tri-katër javë, tha Cook gjatë takimit vjetor të aksionarëve, shkruan BBC.

Së fundi, kompania e njohur shënoi çerekun vjetor me më së shumti të hyra, duke arritur të grumbullojë 111.4 miliardë dollarë në çerëekun e parë të vitit fiskal, 2021.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i kompanisë tha se qëllimi i blerjes së kompanive të tjera është kryesor për sigurimin e teknologjive dhe talentëve.

Blerja më e madhe që bëri kompania Apple në dekadën e fundit ishte blerja e kompanisë “Beats Electronics” për 3 miliardë dollarë. Kjo kompani prodhon dëgjuese dhe është themeluar nga reperi Dr Dre.

Një blerje tjetër e konsiderueshme ishte blerja e kompanisë për identifikimin e këngëve, Shazam, për 400 milionë dollarë në vitin 2018.

Shumicën e kohës, Aplle blen kompani më të vogla teknologjike dhe më pas i bashkëngjet inovacionet e tyre në produktet e veta.

Apple ka “xhepa të thellë” dhe vlen mbi 2 trilionë dollarë, prandaj ka para të mjaftueshme për të blerë kompani të tjera. Sidoqoftë, kompania duket se ka kritere të larta për përzgjedhjen e kompanive që blen.

Për shembull, themeluesi i prodhuesit të veturave elektrike, Tesla, Elon Musk, së fundi ka treguar se ka kontaktuar me shefin e kompanisë Apple për t’ia shitur kompaninë, kur përballej me probleme në vitin 2013. Cook madje as që kishte marrë pjesë në takim.