IEA: Bota po hyn në ‘epokën e re’ të prodhimit të energjisë së pastër

Bota është në fazat e para të një epoke të re industriale të prodhimit të teknologjisë për energjinë e pastër, e cila do të trefishohet në vlerë deri në vitin 2030 dhe do të krijojë miliona vende pune, deklaroi të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Tregu global për teknologjitë kryesore të prodhuara në masë, duke përfshirë panelet diellore, turbinat e erës, bateritë e automjeteve elektrike, pompat e nxehtësisë dhe elektrolizerëve për hidrogjenin do të arrijë një vlerë prej rreth 650 miliardë dollarësh në vit deri në fund të dekadës, ka parashikuar IEA në një raport.

Shifra është më shumë se tre herë më e lartë se nivelet aktuale, por kushtëzohet nga zbatimi i plotë i premtimeve të shteteve për energjinë dhe klimën, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Punët që lidhen me prodhimin e energjisë së pastër do të rriten më tepër sesa dy herë, nga gjashtë milionë në gati 14 milionë, deri në vitin 2030, tha agjencia.

“Sektori i energjisë është në prag të një epoke të re industriale – epoka e prodhimit të teknologjisë për energjinë e pastër,” tha IEA.

Tre vende përbëjnë 70 për qind të kapacitetit prodhues për teknologjinë diellore, të erës, baterive, elektrolizerëve dhe pompave të nxehtësisë, me Kinën që dominon në të gjithë këta sektorë.

Republika Demokratike e Kongos prodhon më shumë se 70 për qind të kobaltit në botë, ndërsa tre vende – Australia, Kili dhe Kina – përbëjnë më shumë se 90 për qind të prodhimit global të litiumit, një burim kryesor për bateritë e automjeteve elektrike.

Tensionet në zinxhirët e furnizimeve rrezikojnë ta bëjnë tranzicionin e energjisë më të vështirë dhe më të shtrenjtë, shtoi raporti.

Së pari, rritja e çmimeve të kobaltit, litiumit dhe nikelit në vitin 2022 solli rritjen e çmimit global të baterive për automjetet elektrike me pothuajse 10 për qind.

Kostoja e ndërtimit të turbinave me erë jashtë Kinës është rritur gjithashtu, pas disa viteve që çmimet binin, ndërkohë që edhe për panelet diellore po vihen re tendenca të ngjashme.

Drejtori ekzekutiv i IEA, Fatih Birol, u kërkoi vendeve që të diversifikojnë zinxhirët e furnizimit, duke përmendur varësinë e Europës ndaj gazit rus si shembullin kryesor të ekspozimit të mundshëm ndaj ndërprerjeve që shkaktohen kur vendet varen së tepërmi nga një burim i vetëm tregtar.

“Siç e kemi parë me varësinë e Europës ndaj gazit rus, kur vareni shumë nga një kompani, nga një vend ose nga një rrugë e vetme tregtare, rrezikoni që të paguani një çmim të rëndë nëse ka ndërprerje të furnizimeve,” tha ai.

Birol theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, “pasi asnjë vend nuk është një ishull energjetik dhe tranzicioni i energjisë do të jetë më i kushtueshëm dhe i ngadalshëm nëse vendet nuk punojnë së bashku.”/ France24

monitor.al