Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet shtetërore kompetente që të kenë kujdes gjatë vlerësimit të rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend, në raport me ndikimin në mjedis.
Sipas Ombudspersonit ky aspekt duhet të shikohet në raport me ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm.
Këtë deklaratë, Avokati i Popullit e ka lëshuar duke iu adresuar disa ankesave lidhur me çështjen e hidrocentraleve në komunën e Shtërpcës, kundër Komunës së Deçanit dhe kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit që kanë të bëjnë me kufizimin e së drejtës për qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me hidrocentralet.
“Avokati i Popullit, nga analiza e tërësishme, ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përcjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi. Avokati i Popullit, duke marr parasysh ndikimin e hidrocentraleve në mjedis, mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtë së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi, si dhe pakënaqësitë e qytetarëve, dhe shoqërisë civile, nëpërmjet raportit kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend”, thuhet në reagim.
Raporti i Avokatit të Popullit jep rekomandime specifike dhe konkrete që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, komuna e Deçanit dhe e Shtërpcës, të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me operimin e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë, si dhe Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës të ndërmarrin masa që rastet që lidhen me hidrocentralet t’i trajtojnë me prioritet.