Qendra për raste gjyqësore ka parashtruar ankesë për refuzimin e padisë kundër licencimit të hidrocentraleve të “KELKOS”-it në Deçan. Ajo ka kërkuar nga Gjykata që t’i bëjë bashkë këtë padi me atë të bërë nga Faton Selmanaj, koordinator i Vetëvendosjes në Deçan. Edhe padia e këtij fundit është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit, ndërsa këtë javë ose në fillim të javës së ardhshme pritet që të merret një vendim i ri nga Themelorja
Prishtinë, 3 shkurt – Ankesë për refuzim të padisë kundër licencimit të hidrocentraleve të “KELKOS”-it në Deçan, ka dorëzuar të mërkurën, Qendra për rastet gjyqësore në Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe “Pishtarët”.
Padia kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore me arsyetimin se kundër të njëjtave vendime është parashtruar edhe një padi nga një palë tjetër.
Alba Dushi, nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se vendimi i Gjykatës është i pabazë dhe i padrejtë, pasi ka thënë se në këtë rast nuk janë përmbushur dy kushtet kumulative të gjyqvarësisë, ai për kërkesëpadinë e njëjtë dhe palët e njëjta.
Të dyja organizatat kanë vlerësuar se u janë shkelur të drejtat themelore.
“Me hedhjen poshtë të padisë sonë dhe moslejimin tonë të marrim pjesë në procedura, na janë shkelur këto të drejta themelore, të cilat nuk mund të kufizohen në një rast. Në këtë ne konsiderojmë se nuk ka pasur qëllim legjitim që ne të na hidhet poshtë padia, por që Gjykata është dashur të bëjë bashkimin e të dy lëndëve, sepse një banor i Deçanit e ka dorëzuar një padi më herët”, ka theksuar ajo.
Ajo ka thënë se GLPS-ja dhe “Pishtarët” kanë kërkuar që të ketë bashkim me padinë e Faton Selmanajt, koordinator i Vetëvendosjes në Deçan.
Gjykata Themelore, më 8 dhjetor, kishte marrë vendim për pezullim të licencave dhe lejeve për dy hidrocentralet e “KELKOS”-it në Grykën e Deçanit, Deçani dhe Bellaja.
Por, pas ankesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe ZRRE-së, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Themelores, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje.
Në arsyetim të Apelit thuhet se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë asnjë arsyetim dhe nuk ka shpjeguar raportin që ka paditësi me të paditurit, me qëllim që të vërtetohet drejt legjitimitetit aktiv të palës paditëse dhe interesi i tij.
“Paditësi në padi dhe propozim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të të paditurve do t’u shkarkohet dëm i pariparueshëm, por nuk dihet se në çfarë cilësie paditësi flet edhe në emër të banorëve pasi që nuk është i autorizuari i tyre dhe nuk është dëshmuar që i njëjti i përfaqëson ata”, thuhet në aktvendim.
Selmanaj ka dorëzuar edhe dëshmi të reja krahas atyre që janë paraqitur në ditën e parë të padisë.
KOHA merr vesh se përveç tij, dëshmi kanë paraqitur edhe dy banorë të Deçanit, të cilët pretendojnë se hidrocentralet kanë dëmtuar pronat e tyre që i kanë në atë pjesë.
Themelorja pritet që të marrë vendim lidhur me këtë çështje gjatë kësaj jave, apo në fillim të javës së ardhshme.
ZRRE-ja në nëntor të vitit të kaluar kishte licencuar dy hidrocentrale të “KELKOS”-it, pasi ato janë pajisur me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
Pak ditë më parë, KOHA ka raportuar lidhur me dyshimet që kanë ngritur organizata të shoqërisë civile se MEA-ja po i hap rrugë licencimit të HC “Lumbardhi 2” edhe pse kompania ka deklaruar se ka hequr dorë nga ndërtimi i digës në atë pjesë.
Ndërkohë, kjo ministri vetëm pas aprovimit të marrë nga kompania kishte publikuar studimin për rrjedhën minimale të ujit për tri hidrocentralet e “KELKOS”-it në Grykën e Deçanit.
Ky institucion iu ka bindur kompanisë që dokumentet e kërkuara nga organizata “Pishtarët” të mbështetur nga 54 organizata të shoqërisë civile, të publikohen në uebfaqe dhe të mbulohen pjesë që kompania i konsideron konfidenciale.
Raporti i publikuar përmban 13 faqe studim për rrjedhën minimale të ujit në tri hidrocentrale “Deçani”, “Bellaja” dhe “Lumbardhi 2”, ndërsa pjesa tjetër janë korrespondencat mes Ministrisë dhe kompanisë për kërkesën e organizatave për qasjen në këtë studim.