Fermerët kosovarë po përballen me një situatë të vështirë ekonomike në sezonin e sivjetëm të korrje-shirjeve, pasi rritja e kostove të prodhimit nuk është reflektuar në çmimin e grumbullimit të grurit.
Profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se prodhuesit e grurit janë të shqetësuar për shkak se çmimi i grumbullimit ka rënë në 18 centë për kilogram, nga 19 centë sa ishte vitin e kaluar, ndërkohë që shpenzimet për kultivimin e grurit janë rritur ndjeshëm.
Sipas tij, në vitet e kaluara kultivimi i një hektari grurë kushtonte mesatarisht 700 deri në 800 euro, ndërsa këtë vit kostoja ka kaluar mbi 1 mijë euro për hektar, duke e rënduar ndjeshëm barrën financiare të fermerëve.
LEXO EDHE:
Nis fushata e korrje-shirjeve në Kosovë, fermerët të pakënaqur me çmimin e grurit
Rusinovci thekson se rritja e kostove është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i naftës dhe i inputeve bujqësore, përfshirë farën, plehrat kimike, produktet për mbrojtjen e bimëve dhe shpenzimet e tjera të nevojshme për kultivimin e grurit. Sipas tij, këto rritje kanë bërë që prodhimi të jetë dukshëm më i kushtueshëm, ndërsa të ardhurat e fermerëve pritet të jenë më të ulëta për shkak të çmimit të grumbullimit.
Ai vlerëson se Kosova ka mundësi të kufizuara për të ndikuar në çmimin e grurit, pasi ai përcaktohet nga zhvillimet në bursat ndërkombëtare të drithërave. Megjithatë, ai shton se institucionet mund të ndërhyjnë përmes politikave mbështetëse, duke rritur subvencionet ose duke aplikuar masa të tjera që do t’i ndihmonin fermerët të përballojnë rritjen e kostove.
Sipas Rusinovcit, mbështetja shtetërore duhet të jetë më e dukshme, veçanërisht në periudhën e dorëzimit të grurit në pikat grumbulluese, në mënyrë që prodhuesit vendorë të mos mbeten të pambrojtur përballë rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve dhe çmimeve të ulëta të grumbullimit. /Buletini Ekonomik/
MË SHUMË:
Rendimentet e sivjetshme të grurit të përafërta me ato të vitit të kaluar











