Investitorët shfaqën interes të lartë për blerjen e bonove 10-vjeçare të Italisë, pasi Mario Draghi u betua si kryeministër, duke ofruar 110 miliardë euro, në tejkalim të ndjeshëm të sasinë së ofruar deri tani.
Kërkesa e lartë nënvizon se si perspektivat ekonomike nën drejtimin e ish-shefit të Bankës Qendrore Europiane janë në linjë me nxitimin e investitorëve për të pasur kthime pozitive, të cilat është e vështirë t’i gjesh në tregun e borxhit në zonën e euros.
Oferta e investitorëve ishte 110 miliardë euro, sipas Financial Times. Kjo shumë tejkaloi 108 miliardë euro të ofruara në ankandin e fundit 10-vjeçar, të organizuar nga bankat e investimeve në qershor 2020, e cila mbante rekordin për shitjen më të madhe të bonove italiane deri tani.
Kërkesa më e lartë ka ardhur ndërsa investitorët presin që Draghi, i cili është kredituar gjerësisht për lehtësimin e krizës së borxhit të bllokut një dekadë më parë, t’i japë një nxitje të fortë ekonomisë italiane, pas një recesioni historik vitin e kaluar.
Draghi do t’u adresohet ligjbërësve për herë të parë të mërkurën, ku pritet të paraqesë planet e tij ekonomike. Ai ka një shumicë të konsiderueshme parlamentare, që do ta ndihmojë të ecë përpara me nismat e tij.
Analistët janë optimistë se Draghi, i cili u betua si Kryeministër tre ditë më parë, do të jetë në gjendje të përdorë me efikasitet fondin e madh të rimëkëmbjes të nënshkruar nga vendet anëtare të BE dhe të miratojë një seri reformash politike dhe ekonomike për të mbështetur ekonominë e goditur nga kriza.
“Ne presim që z. Draghi të jetë i suksesshëm në finalizimin e fondit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë dhe në fillimin e një procesi të reformave strukturore, që do të ndikojë në një pasiguri më të ulët të brendshme politike në vitin 2021,” tha Luca Cazzulani, analist në UniCredit Milano.