Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit të mos hapë valë të re të privatizimit apo likuidimit.
Teksa ka kujtuar se në program qeverisës VV-ja synon rishikimin e procesit të privatizimit dhe trajtimit “ndryshe si të pronës publik ashtu edhe të asaj shtetërore”, Kurti ka thënë se ka marrë informatë që AKP-ja po synon të hapë valë të re të likuidimit.
Kurti sa kishte qenë kryeministër vitin e shkuar kishte nxjerrë dy vendime përmes së cilave kërkoi pezullimin e veprimeve të AKP-së në lidhje me pronat e palujtshme nga lista e aseteve për qiradhënie dhe pastaj pezullimin në afat të pacaktuar të të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme që i ka nën administrim. “Këto vendime ishin shfuqizuar nga qeveria e cila u instalua pas nesh, por megjithatë kishte vazhduar kërkesa ndaj AKP-së që të mos shpallë asnjë valë të re të privatizmit. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet eventuale në procesin e privatizimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti po ashtu ka paralajmëruar masa ndaj bordit.
“Tani jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka përfunduar Kurti