Lira turke arriti nivelin më të lartë ndaj dollarit amerikan që nga gushti i vitit 2020, duke u tregtuar sot në vlerën 7,1919.
Lira turke, e cila filloi javën me ngritje të vlerës, po tregtohet në nivelin 7,2020 për një dollar me mbi 1,1 për qind rritje që nga ora 14:00 sipas kohës lokale, krahasuar me ditën e mëparshme.
Në të njëjtën kohë, kursi i këmbimit euro/lira turke ra për 2,1 për qind në 8,6960, ndërsa një paund britanik tregtohej për 9,8750 lira me një rënie prej 1,5 për qind.
Analistët thanë se trendi në rënie vazhdoi në kursin e këmbimit dollar amerikan/lira turke me rritjen e besueshmërisë së Bankës Qendrore Turke dhe falë besimit te guvernatori i bankës, Naci Ağbal.
“Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që ekonomia e Turqisë do të rritet për 6 për qind në vitin 2021 gjithashtu rriti interesin për lirën turke. Për më tepër, Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) për sektorin e prodhimit të Turqisë u rrit në 54,4 në janar, që tregon besim në ekonominë e Turqisë”, theksuan analistët.
Vlerësimi i lirës turke u përshpejtua me qëndrimin e politikës monetare të Bankës Qendrore Turke dhe deklaratën e guvernatorit Ağbal se politikat aktuale do të ruhen deri në një rënie të përhershme të inflacionit, tha Cüneyt Paksoy, një ekonomist dhe analist financiar në AA.
“Në qoftë se nuk ka një mjedis global të dollarizimit në varësi të indeksit të dollarit dhe ndryshimit të rëndësishëm në marrëdhëniet SHBA-Turqi, prirja rënëse mund të vazhdojë në kursin e këmbimit dollar amerikan/lira turke”, shtoi ai.