Më shumë se gjysma e bizneseve në Britani të Madhe planifikojnë të punësojnë personel të ri

Më shumë se gjysma e punëdhënësve në Britani të Madhe kanë ndërmend të punësojnë personel të ri në tre muajt e ardhshëm.

Kështu thuhet në studimin e Institutit për Zhvillimin e Personelit (CIPD), duke shtuar se shenjat e para pozitive për rritje të punësimit ishte vërejtur që nga fillimi i vitit, përcjell Telegrafi.

Rreth 56 për qind e 2,000 bizneseve të anketuara, kanë planifikuar të punësojnë personel në tre muajt e parë të 2021-së. Sektorët me interesin më të madh për të punësuar janë kujdesi shëndetësor, financat e sigurimet, edukimi dhe teknologjia informative.

Reklama e sponzorizuar

“Gjetjet tona sugjerojnë se papunësia mund të jetë afër kulmit dhe madje mund të nënvlerësojë parashikimet zyrtare, veçanërisht duke pasur parasysh rënien e raportuar të punësimit të punëtorëve jashtë shtetit”, tha Gerwyn Davies nga CIPD.

Sipas Zyrës Kombëtare për Statistika (ONS), shkalla e papunësisë – shtator 2020 deri në nëntor 2020 – ishte 5 për qind. Krahasuar me tre muajt e mëparshëm, kjo është një rritje prej 0.6 për qind, që do të thotë se 1.72 milion qytetarë ishin të papunë.

Siç tregojnë shifrat e ONS, në muajin nëntor 2020 kishte 819 mijë punëtorë më pak në listat e pagave sesa në fillim të pandemisë COVID-19.