Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij fillimviti ka dhënë 3 tendera brenda vetëm tri javëve, edhe atë personave privat. Shuma e këtyre tenderëve sillet prej rreth tre mijë eurove secili, përcjell Buletini Ekonomik.
MTI-ja gjatë janarit 2021 ka shpallur njoftimin për nënshkrimin e njërës prej kontratave për të cilat kishte hapur procedurë prokurimi më herët, për një Ekspert të marketingut dhe një Inxhinier të ndërtimtarisë. Vlera totale e kësaj kontrate parashihej të ishte diku 4 mijë e 400 euro. Mirëpo në lajmërimin për dhënien e kontratës në E-prokurimi, kjo kontratë në janar është dhënë vetëm për inxhinierin e ndërtimtarisë me një vlerë prej 2 mijë e 670 eurove, e cila do të zgjasë 6 muaj. Përfitues i kësaj kontrate është Islam Vrenezi.
E njëjta ministri, më datë 8 shkurt të 2021 ka dhënë edhe tri tendere të reja, njëra për Administrator të TIK-ut, Inpektor i Tregut dhe tjetra për ekpert të marketingut, që ishte pjesë e kontratës së përfolur më lartë.
Administrator i TIK-ut në këtë ministri tashmë është bërë Besart Sopjani, i cili në bazë të kontratës do të përfitojë 2 mijë e 673 euro, që do të zgjasë po ashtu 6 muaj.
Ndërkohe, kontratën për inspektor të tregut e ka përfituar Gazmend Hoti, vlera e së cilës do të jetë 2 mijë e 700 euro.
E detyrën si eksperte e marketingut brenda kësaj ministrie tash e tutje do ta ushtrojë Peresta Tolaj, që është kandidatja që ka fituar kontratën nga MTI-ja për marketing. Vlera e kontratës në fjalë është 2 mijë e 682 euro dhe do të zgjasë po ashtu për një periudhë gjashtë mujore.
Ndryshe, kjo ministri tashmë është duke u udhëhequr nga ministri në detyrë, Vesel Krasniqi. /Buletini Ekonomik/