Me 1 vit e 6 muaj me kusht është dënuar ish-kryetari i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata Themelore e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pos tij, Gani Rama është dënuar me 1 vjet me kusht, ndërkohë Ismet Isufi me 1 e 6 muaj me kusht, kurse Veli Hajdaraga është dënuar me 8 mijë euro gjobë.
Gjykata gjithashtu, Lekajt, Ramës e Isufit ua ka ndaluar ushtrimin e funksionit publik në afat prej dy vitesh.
Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ishte kryetar i komunës së Gjakovës.
Bashkë me të për keqpërdorim pozite akuzohen edhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi akuzohej Veli Hajdaraga.
Aktakuza ndaj Lekajt dhe të tjerëve ishte ngritur në vitin 2018.
Lekaj dhe Isufi akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Ata kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri në 250 mijë euro.
Ndërsa Veli Hajdaraga, akuzohet se gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe me këtë rast ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.
I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh.
Sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit për kompaninë e tij “UNION-VL”, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet.
Sipas Prokurorisë Speciale, numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi 3.000, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.
Lekaj në mandatin e fundit ishte deputet, kurse një më herët ishte ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj.