Një digë me lartësi afro 13 metra po planifikohet të ndërtohet në grykën e Drinit të Bardhë, në Dobrushtë të Prizrenit.
Kompania “EcoDri” së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Komunën e Prizrenit të enjten do të mbajnë një dëgjim publik për të diskutuar për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Por shfrytëzimi i rrjedhës së lumit Drini i Bardhë për prodhim të energjisë ka ngritur shqetësim te banorët përreth, të cilët thonë se nuk kanë informata për këtë projekt.
“Ne nuk kemi informata lidhur me ndërtimin e këtij hidrocentrali. Nuk e dimë për dëmet apo përfitimet që do t’i sjellë. Por këto ditë do të ketë takim në fshat dhe do të diskutohet se si do të veprohet”, ka thënë Denis Saramati, banor i fshatit Dobrushtë.
E banorët e tjerë të fshatit nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht, por kanë thënë se nuk do të pranojnë projekte që janë në dëm të fshatit dhe natyrës.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga kompania, por zyrtarë të saj nuk kanë pranuar të flasin. Ndërkohë, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, nuk ka qenë i qasshëm.
Haskuka ka qenë një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të hidrocentralit në Lumbardhin e Prizrenit, që ishte planifikuar të ndërtohej kohë më parë.
Komuna e Prizrenit më 4 shkurt ka njoftuar se do të mbahet debat publik për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për ndërtimin e hidrocentralit “EcoDri” në lumin Drini i Bardhë.
“Njoftohet publiku i interesuar se më 25.2.2021, në ora 11:00, në hapësirat e restorant ‘Ura’, rruga ‘Beteja e Drinit’, fshati Dobrushtë, Komuna e Prizrenit, do të organizohet debat publik nga kompania ‘EcoDri’ SHPK Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit”, thuhet në njoftim.
Ky njoftim e ka çuditur Dren Marselin nga shoqëria civile në Prizren.
“Informata nuk kemi pasur deri në momentin kur ka dalë thirrja për dëgjim publik nga Komuna e Prizrenit. Ne jemi të interesuar të shkojmë të shohim se çka është plani aty dhe çfarë do të ndodhë”, ka thënë Marseli.
Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë informatë nga Komuna, përveç raportit të vlerësimit në mjedis që është publikuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e i cili flet për ndikimin në mjedis se si kompania e ka paraparë.
Kompania “EcoDrini” SHPK ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për autorizim të ndërtimit të hidrocentralit në Drinin e Bardhë në vitin 2019.
Në përgjigjen për KOHËN, ZRRE-ja ka thënë se ky hidrocentral do të jetë me sistem të digës.
“Kompania ‘EcoDrini’ SHPK ka aplikuar në ZRRE më 18 korrik 2019 për marrjen e autorizimit për ndërtim të hidrocentralit me sistem të digës, në luginën e lumit Drin, lokacioni Dobrushtë në Komunën e Prizrenit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Por, sipas saj, ky aplikacion është ende në proces të shqyrtimit dhe aktualisht ZRRE-ja nuk ka bord funksional për të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me aplikacionet që janë në proces.
Sipas raportit të publikuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, diga pritet të ndërtohet në pjesën e ngushtë të lumit.
Thuhet në zbatimi i projektit nuk do të ketë pasoja negative të mëdha në mjedisin e zonës.
“I tërë ky projekt është në përputhshmëri me strategjinë e zhvillimit energjetik të Republikës së Kosovës është ekologjik, në përputhje me tendencat e zhvillimit të energjetikës alternative për Kosovën. Analizat e kryera nga pikëpamja e kushteve dhe mundësive të shfrytëzimit hidroenergjetik të ujërave të lumit Drini i Bardh sjellin në përfundim se kjo është teknikisht e mundshme dhe ekonomikisht e arsyetueshme me ndërtimin e hidrocentralit në lokacionin e lartshënuar”, thuhet në raport.
Raporti flet edhe për ndikimet që mund t’i ketë në mjedis për fazën e ndërtimit dhe pas ndërtimit. Për fazën e ndërtimit thotë se mund të ketë probleme për shkak të pluhurit që do të bëhet shkaku i bartjes së materialeve dhe pajisjeve për ndërtimin e hidrocentralit.
“Sipas analizave të bëra deri tani në lidhje me ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës mund të vijë deri te ndikimet në florë dhe faunë”, thuhet në raport.
Po ashtu, thuhet se do të ketë ndikime minimale rreth hapësirave ku ndërtohet hidrocentrali.
“Derisa punimet të zgjasin do të çrregullohen kushtet ekologjike dhe migracioni i lirë i organizmave ujorë, posaçërisht i peshqve. Për arsye të natyrës së projektit vlerësohet se ndikimet në peshq do të jenë të përhershme, e nëse dëmtohet fondi i peshkut, investitori do të bëjë kompensimin në pajtim me rregulloret ligjore përkatëse”, thuhet në raport.
Parashihen ndikime edhe në ujë për shkak të derivateve dhe vajrave të ndryshme që derdhen në tokë nga makineria gjatë punimeve.
“Punimet afër dhe brenda shtratit të lumit përkohësisht do ta dëmtojnë baraspeshën ekologjike të rrjedhës dhe do të ndikojnë në turbullimin e ujit”, thuhet në raport.
Në raport nënvizohet se “gjatë fazës së funksionimit të hidrocentralit ndikime më të rëndësishme negative në mjedis nga realizimi i projektit mund të ketë në përmbytjen e tokave me rritjen e nivelit të ujit në Liqenin e Vërmicës, gjithashtu ndikime negative mund të ndodhin në botën bimore dhe shtazore të lumit Drini i Bardh në Prizren”.
Hidrocentralet ekzistuese në vend janë kundërshtuar vazhdimisht nga mbrojtës të mjedisit, për shkak të dëmeve që janë shkaktuar në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë.