Tërhiqet suspendimi për 12 minatorët e “Trepçës”

Është tërhequr vendimi për suspendimin e 12 minatorëve të minierës së Stantërgut, të cilët disa ditë më parë hyn në grevë për vonesën në marrjen e pagave të janarit. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN drejtori i kësaj miniere, Nexhat Dedia.

“Është tërhequr vendimi. Është arritur një marrëveshje, ata e kanë marrë një vërejtje të fundit, sipas fjalëve të tyre nuk besoj që do të ndodhë më. E kanë filluar punën gjithçka është në rregull”, ka thënë Dedia.

Dedia ka thënë se punëtorët kanë bërë shkelje, por nuk dhënë detaje tjera me arsyetimin se më shumë shpjegime mund të jap para kamerës. Arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani.

“Është arritur një marrëveshje ndërmjet drejtorit, punëtorëve dhe disa inxhinierëve. Do të thotë gjithçka është në rregull, nuk është suspenduar askush, të gjithë janë duke punuar, ia kanë filluar punës. U është dhënë një vërejtje e fundit dhe nuk është suspenduar askush”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

I pyetur nga KOHA, Osmani ka thënë se nuk e di çfarë përmban marrëveshja e arritur.

“Unë nuk kam qenë aty dhe sindikata nuk ka qenë në rrjedha veç është lidhur me atë ditën që e kanë ndalur punën, sepse atë ditë nuk e kanë ndalur punën të gjithë minatorët, vetëm një grup”, ka deklaruar Osmani.