Ujësjellësi “Prishtina” dërgon 1000 borxhlinj te përmbaruesit privatë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka dërguar rreth 1000 lëndë të borxhlinjve te përmbaruesit privatë për një muaj, bëhet e ditur në një komunikatë për media të martën.

KRU “Prishtina” ka thënë se kjo përfshin konsumatorët që kanë më shumë se 100 euro borxh.

Reklama e sponzorizuar

Ujësjellësi ka kërkuar nga konsumatorët që të përmbushin obligimin financiar në mënyrë që të mundësohen punët e ndërmarrjes.

“Për një muaj ( janar-shkurt 2021) janë dërguar rreth 1000 lëndë të borxhlinjve te Përmbaruesit Privatë (kryesisht sektorin e bizneseve), me ç’rast zyra ligjore është duke përgatitur vazhdimisht edhe lëndë të tjera për procedurë përmbarimore. Inicimi i kësaj procedure përmes Përmbaruesve Privatë do të krijonte shpenzime shtesë për ju dhe do të vështirësonte përmbushjen e obligimit tuaj duke paguar taksën shtesë. Ujësjellësi i Prishtinës është një ndër institucionet e fundit që po merret me dërgimin e lëndëve te Përmbaruesit, për shkak që kemi pasur konsideratë për periudhën e pandemisë”, thuhet në njoftim.