A po blen MSH barna të pa regjistruara?

Tash sa kohë një tender për Insulinën është duke kaluar nga Ministria e Shëndetësisë në OSHP dhe anasjelltas, derisa pacientët po përballën me mungesën e këtij ilaçi.

Para disa ditësh, në media u publikua se Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë tender për furnizim më Insulinë një kompanie e cila nuk i ka produktet e regjistruara në Kosovë me Autorizim Marketingu. Më pas një kompanie tjetër e cila i ka produktet të regjistruara me Autorizim Marketingu.

Pas një ankese, lënda ka përfunduar në OSHP, e cila e ka kthyer në rivlerësim tek MSH.

Reklama e sponzorizuar

Në tregun e farmacisë regjistrimi me Autorizim Marketingu është i obliguar me ligj për shkak se konsiderohet që e garanton cilësinë dhe prejardhjen e ilaçeve.

Tash topi ka mbetur të Ministria e Shëndetësisë për të ndarë drejtësi.

Për këtë tender ka bërë pyetje edhe Gazeta Express e cila nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.

Express ka pyetur se a lejohet importi i produkteve farmaceutike të cilat nuk janë të regjistruara me Autorizim Marketingu nga AKPM, dhe a lejohet të blihen këto produkte me para të buxhetit të Kosovës të cilat nuk janë në listë esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pikë kryesore aktualisht mbetet Autorizimi i Marketingut i cili konsiderohet kriter bazë për të garuar apo pasur të drejtë furnizimi në Kosovë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tenderin me titull “Furnizim me Insulina Analoge nga Lista Esenciale”, i ndarë në tri lote me vlerë të parashikuar të kontratës prej mbi 7 milion Euro.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që operatorët ekonomik që konkurrojnë me insulina, duhet të kenë produktin e regjistruar nga AKPPM me Autorizim Marketingu si kusht për lejimin e importit dhe shitjes në tregun e Kosovës të  insulinave nga Lista Esenciale.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 15 mijë pacientë të cilët kanë nevojë permanente për insulinën.