Pandemia dhe rritja e numrit të rasteve me COVID-19, në shtetin që ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë, ka bërë që ambasadat e huaja në Kosovë t’i këshillojnë qytetarët e tyre që të mos e vizitojnë vendin.
Ambasada amerikane e cilëson Kosovën si vend me rrezik të lartë, duke apeluar që të mos vizitohet nga amerikanët gjatë pandemisë.
Situata shëndetësore vazhdon të përkeqësohet. Qytetarët amerikanë raportojnë për mungesë të pajisjeve e edhe vendeve në spitalet lokale dhe rajonale, thuhet në njoftimin e fundit të kësaj ambasade, të dhënë në shkurt të këtij viti.
Britanikët vazhdojnë ta kenë të ndaluar udhëtimin jashtë vendit pa leje, duke përfshirë edhe vizitat në Kosovë.
Edhe në Ambasadën gjermane, Kosova kategorizohet si vend me rrezikshmëri të lartë nga koronavirusi.
Shtetasit gjermanë pas kthimit nga Kosova duhet respektuar masat, ku në disa vende përfshihet edhe izolimi prej 10-ditësh.
Edhe Zvicra nuk i ka ndryshuar rregullat dhe thotë se karantina është e obliguar për udhëtarët që vijnë nga Kosova.
Aktualisht hyrja në Itali e atyre që arrijnë nga Kosova u lejohet vetëm për:
– Nevoja pune;
– Urgjencë absolute;
– Nevoja shëndetësore;
– Nevoja studimi;
– Rikthim në shtëpi ose vendbanim;
Edhe Kosova e cilëson Italinë si vend me rrezikshmëri të lartë dhe ata që hyjnë në Kosovë nga Italia duhet ta kenë një test PCR negative.
Ambasadat aktualisht kanë kufizuar edhe dhënien e vizave për shtetin që ende nuk ka liberalizim.