Anija që ka bllokuar Kanalin e Suezit mund të shkaktojë mungesë të letrës higjienike në të gjithë botën

Anija masive që ka bllokuar Kanalin e Suezit mund të shkaktojë telashe në furnizimet edhe të letrës higjienike.

Kështu së paku pretendojnë disa media botërore, përcjell Telegrafi, sipas të cilave një mungesë e tillë mund mos jetë parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Walter Schalka, drejtori ekzekutiv i ndërmarrjes braziliane të përpunimit të drurit Suzano SA, i tha Bloomberg News se firma po luftonte për të transportuar lëndën e parë për letër higjienike mes vonesave.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, pronari i “Ever Given”, gjiganti 200,000 ton që u përplas këtë javë kur erërat e forta “e kthyen anash”, ka kërkuar falje për mega-bllokimin, i cili po shkakton një krizë tregtare globale.

Sipas New York Post, Suzano me bazë në Sao Paulo përbën rreth një të tretën e furnizimeve globale të lëndës së parë të letrave higjienike.

Gjithashtu, shkruan ky medium, Lars Jensen, një ekspert i transportit të kontejnerëve në Danimarkë, i tha “Mirror” se dërgesa e sendeve të përditshme shtëpiake do të ndikohet, duke përfshirë letrat higjienike.

“Në thelb gjithçka që shihni në dyqane”, ka thënë ai.

Jensen tha se anija e bllokuar është një tjetër goditje për sistemin global të transportit tashmë të goditur nga pandemia.

Ndërkohë Peter Berdowski, drejtor ekzekutiv i kompanisë holandeze Boskalis, e cila po përpiqet të zhvendosë anijen gjigante, tha se ishte shumë herët të thuhej se sa kohë mund të duhej.

“Ne nuk mund të përjashtojmë që mund të duhen javë, në varësi të situatës”, ka thënë Berdowski.

Ai shtoi: “Ne mund të duhet të punojmë me një kombinim të zvogëlimit të peshës duke hequr kontejnerë, naftë dhe ujë nga anija”.