Ka më shumë se tre vjet që babë e bijë punojnë në të njëjtën ministri. Por tani Doruntina Xhemajli, vajza e diplomatit Blerim Xhemajli, nga asistente e sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është ngritur në zyrtare ligjore.
Blerim Xhemajli ka qenë ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës në vitin 2017. Ai tani mban gradën këshilltar për çështje kulturore në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, megjithëse nuk figuron si staf në faqen zyrtare të Ministrisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, vendimi për avancimin e vajzës së Xhemajlit është i përkohshëm për një periudhë deri në gjashtë muaj, sipas nevojave të Departamentit Ligjor. Por, nuk kanë treguar nëse për këtë lëvizje ka pasur konkurs të brendshëm.
“Znj. Doruntina Xhemajli është staf i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Ajo është asistente e Zyrës së sekretarit të përgjithshëm të MPJD-së. Është juriste me profesion. Vendimi për kalimin e znj. Xhemajli në Departamentin Ligjor është bërë sipas nevojave të këtij departamenti, është i përkohshëm, për një periudhë deri në gjashtë muaj brenda dy vjetëve, dhe është në përputhje të plotë me procedurat dhe kompetencat ligjore të sekretarit të përgjithshëm të MPJD-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Xhemajli është pjesë e Ministrisë së Jashtme prej vitit 2018, kur ishte përzgjedhur me konkurs në pozitën e asistentes administrative, pak vjet pasi babai i saj ishte bërë diplomat.
Në mars të vitit 2017, Blerim Xhemajli ishte zgjedhur kryetar i Degës së PDK-së në Suharekë, vetëm tre muaj pasi ishte vënë në pozitën e drejtorit të Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në MPJ.
E kishte mbajtur funksionin e drejtorit, ani se neni 17 i Ligjit për shërbyes civilë precizon se nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht.
“1. Nëpunësit civilë mund të mbajnë përkohësisht pozita politike. Gjatë mandatit të tyre në këto pozita statusi i tyre i nëpunësit civil pezullohet për shkak të mospërputhshmërisë ndërmjet emërimit politik dhe statusit të nëpunësit civil.
2. Nëpunësit civilë, të cilët janë kandidatë për zgjedhjet komunale dhe qendrore, vendosen në pushim të veçantë pa pagesë një (1) muaj para zhvillimit të zgjedhjeve deri në certifikimin zyrtar të tyre. Nëpunësi civil, i cili nuk zgjidhet, ka të drejtë të kthehet në vendin e tij/saj të punës në shërbimin civil një (1) javë nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
3. Nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht.
Para se ta merrte këtë pozitë ishte pjesë e misionit diplomatik të Kosovës në Mal të Zi.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si njerëz të lidhur me partitë në pushtet kanë përfituar grada e janë avancuar në Shërbimin e Jashtëm.