“Qeveria nuk do të lejojë që 100 mijë qytetarë të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë”, është kjo fjalia me të cilën edhe fillon planporgrami i LVV-së rreth uljes së varfërisë gjatë qeverisjes së saj.
Ata gjatë fushatës zgjedhore u zotuan se adresimi i problemit të varfërisë në Kosovë do të jetë kriteri më i rëndësishëm i tyre, dhe u zotuan se do të sigurojnë që rritja e ekonomisë së vendit do të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përcjell Buletini Ekonomik.
E ulja e varfërisë synohet të bëhet me rritjen e pagës minimale në 250 euro si dhe përjashtimin e tatimit në të ardhurat personale nga kjo pagë, me krijimin e vendeve të punës për të gjithë të rinjtë e moshës 16-18 dhe një pagë të garantuar për një vit të plotë për ta, përmes granteve për ndërmarrësit e rinj dhe subvencionimin e ideve të reja të biznesit, pagë edhe për nënat lehona që janë të papuna pagë prej 250 euro për 6 muajt e parë, si dhe dhënien e shtesave për fëmijët e vegjël.
Ndërkaq, për të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr.
Në anën tjetër, deri më tani Ministria e Financave ka shpërndarë vetëm 22 milionë euro për sektorin privat nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, kanë bërë të ditur zyrtarë të kësaj ministrie. Nga kjo vlerë, 13 milionë euro janë shpërndarë për sektorin e bujqësisë dhe nëntë milionë euro tjera për bizneset private.
Ndërkohë shpërndarja e mjeteve nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, që arrin vlerën prej 222 milionë euro, kishte filluar në muajin janar të këtij viti. Deri më tani, janë shpërndarë vetëm 78 milionë euro. Nga kjo vlerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nëntë milionë euro janë ndarë për bizneset në sektorin privat (gjashtë milionë e gjysmë për të vetëpunësuarit, një milion për gratë në ekonomi dhe një milion e gjysmë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore) dhe 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë.
Vlera më e madhe me mbi 20.7 milionë euro është shpenzuar për skema sociale, kurse 16.2 milionë euro janë ndarë për punëtorët në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policisë dhe zjarrfikësit. /Buletini Ekonomik/