“Lufta” për pagën minimale, 250 euro apo 350 euro

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat ka kërkuar nga Qeveria e re që nga një maji paga minimale të jetë 350 euro. Jusuf Azemi ka thënë se ngritja e pagës minimale në 350 euro do të jetë kërkesa primare. Kurse, Albin Kurti ka bërë me dije se paga minimale do të bëhet 250 euro dhe do të ketë rritje të skemave sociale.

Albin Kurti, në cilësinë e kandidatit për kryeministër, në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit, para se të marr votën për të drejtuar qeverinë, ka thënë se prioritet i punës së tij do të jenë edhe mirëqenia për fëmijët.

Ai ka thënë se paga minimale do të bëhet 250 euro dhe do të ketë rritje të skemave sociale

Reklama e sponzorizuar

“Pagën minimale për angazhim prej 40 orësh në muaj, LVV-ja e ka planifikuar ta rrisë në 250 euro, si dhe ka paraparë që kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale. Për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë, LVV-ja ka planifikuar t’u paguajnë pagën minimale prej 250 eurosh”.

Mirëpo, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit privat po kërkon nga Qeveria e re që nga një maji paga minimale të jetë 350 euro.

I pari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi tha se ngritja e pagës minimale në 350 euro do të jetë kërkesa primare ndaj qeverisë Kurti.

“Ne presim dhe si kërkesë e parë do të jetë që nga 1 maji të jetë ngritja e pagës minimale në pagën 350 euro dhe ishte kërkesë primare që punëtorët t’i gëzojmë me një ngritje të pagës me 1 maj. Krahas saj janë grumbulluar probleme të mëhershme që qeveritë e kaluara nuk janë ballafaquar dhe nuk janë marr me këto probleme dhe si problem parësorë është që implementimi i Ligjit të punës, nënshkrimi i kontratës kolektive me të cilën ka nevojë të bëhen ndryshime, por edhe me këto që i kemi po kërkojmë një mënyrë shumë të shpejtë të fillojë implementimi i tyre, pasi që do të krijoheshin kushte më të mirë për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, dhe do të kërkojmë me ngulm që inspektorati i punës ta kryejë punën e vet me gjallëri sepse në të kaluarën nuk e ka bërë këtë dhe shpresojmë që pozita e punëtorit do ta ketë atë pozitë që ja jep ligji i punës dhe marrëveshja kolektive”.

Meqenëse që nga viti 2011 nuk është asnjë rritje sa i përket pagës minimale, ai thotë se çdo rritje e cila është nën shumën 350 euro, sipas Azemi është pagë që nuk ja vlen të diskutohet.

Azemi tutja ka thënë se do të jenë të zëshëm dhe kritikë edhe ndaj qeverisë Kurti në rast se nuk trajtohen si duhet punëtorët e sektorit privat.

Kurse, Kurti dhe LVV-ja po ashtu ka paraparë që të fillojë zbatimi i programit të shtesave për fëmijët.

“Të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare në qeverisjen e LVV-së është paraparë të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj”.

Ndërkaq, për të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr.

“Nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro”.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.