Ministria e Kulturës, me vendimin e radhës të Qeverisë që t’ia ndajë edhe gjysmë milioni, arkëton 3 milionë euro nga 5 milionët që ishin paraparë në Programin për rimëkëmbje ekonomike në shtator të vitit të kaluar. Asokohe vetëm 461 mijë euro ishin ndarë për kulturën
Në 3 milionë euro arrin shuma që do të marrë Ministria e Kulturës, kur Qeveria t’ia alokojë gjysmë milionin e radhës nga Programi për rimëkëmbje ekonomike. Për subvencione dhe transfere për kulturën do të shkojnë 300 mijë, kurse 200 mijë për subvencione në trashëgimi kulturore. Por një pjesë e atyre që ka vite që janë akterë në këto dy fusha, konstatojnë se MKRS-ja pa kurrfarë analize dhe pa ndonjë plan, thjesht po improvizon
Qeveria e Kosovës do t’ia alokojë Ministrisë së Kulturës edhe 500 mijë euro nga Programi për rimëkëmbje ekonomike. Sipas vendimit të ekzekutivit, 300 mijë do të jenë për subvencione dhe transfere për kulturën, kurse 200 mijë për subvencione në trashëgimi kulturore. Me pjesën e parë, institucioni më i lartë kulturor në vend do të shlyejë obligime të konkursit për projekte kulturore për individë në kuadër të Programit për rimëkëmbje që ishte hapur vitin e kaluar. E me 200 mijë të tjera, pritet të hapet një konkurs për organizata dhe individë për projekte në trashëgimi kulturore. Edhe ky konkurs do të jetë në kuadër të Programit për rimëkëmbje ekonomike.
Por një pjesë e atyre që ka vite që janë akterë në këto dy fusha, konstatojnë se MKRS-ja është duke punuar pa kurrfarë analize dhe pa ndonjë plan.
Mjetet financiare pritet që të derdhen në llogari të MKRS-së pas dy javësh, kur vendimi i së hënës do të publikohet në Gazetën Zyrtare. Kësisoj, MKRS-ja arkëton 3 milionë euro nga 5 milionët që ishin paraparë në Programin për rimëkëmbje ekonomike në shtator të vitit të kaluar. Asokohe vetëm 461 mijë euro janë ndarë për kulturën. Pjesa tjetër ishte destinuar për sportin dhe rininë.
Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës nuk kishte një “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Në nëntor të vitit të kaluar u hap konkursi për projekte individuale. MKRS-ja në fund të vitit kishte përkrahur edhe 269 projekte.
Por ky institucion kishte shfrytëzuar edhe buxhetin e trashëgimisë kulturore, duke i përkrahur këto projekte me 594 mijë euro. Thirrja e asokohshme ishte vetëm për individë. Por del që hesapet ishin bërë pa i pasur krejt mjetet në “kuletë”. Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se me 300 mijë euro do të kryhen obligimet e konkursit të kaluar dhe po ashtu edhe detyrimet që dalin nga ankesat e bëra nga individë që kishin konkurruar asokohe.
“Për pjesën tjetër, pra 200 mijë, do t’i japim për projekte në trashëgimi kulturore. Do të kenë mundësi që të konkurrojnë organizatat dhe individët”, ka thënë ajo. E sa i përket 2-milionëshit të mbetur që ishte paraparë të jepej për kulturë dhe këtë vit të hapej një thirrje për organizatat kulturore, ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi, nuk ka pasur ndonjë afat.
“I mbetet Qeverisë së re që të veprojë”, ka thënë ajo.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), ka thënë se meqenëse bëhet fjalë për fond të rimëkëmbjes, janë mjete të planifikuara për ndihmë.
“MKRS-ja nuk është se ka bërë ndonjë analizë ekonomike apo që ka ekspertizë për të bërë analizë për dëmet që u ka shkaktuar pandemia organizatave dhe individëve. Analizë kanë bërë ministritë e tjera. MKRS-ja në mungesë të ekspertizës dhe analizës bën thirrje që nuk dallojnë nga thirrjet para pandemisë”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, nuk po bëhen thirrje për ndihmë, por për projekte. Ka thënë se ka një kontradiktë midis dedikimit të fondit dhe mënyrës se si menaxhohet.
“Është duke u menaxhuar me metodën e njëjtë, përderisa në fusha të tjera menaxhohet karshi nevojave të paraqitura. Për shembull, ndihmohen bizneset për paga të punëtorëve. Kjo shpërfaq problemet që i ka MKRS-ja për këto vlerësime. Nuk kam parë ndonjë vlerësim nga MKRS-ja”, ka thënë ai.
Sipas Shoshit, në mungesë të vlerësimit, MKRS-ja aplikon me metodat që ishin para pandemisë. Madje edhe për thirrjet e zakonshme vjetore, MKRS-ja, sipas tij, bën financime me mendësinë që të gjithë të jenë të kënaqur.
“Në fund nuk kënaqet askush dhe impakti në trashëgimi është shumë i vogël”, ka thënë ai.
e ri të Qeverisë dhe planin e MKRS-së për shpenzimin e 500 mijë eurove, dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheqë qendrën “Multimedia”, e ka parë si vazhdimësi të mendësisë së vjetër.
“Mënyra më e mirë që kjo ministri ta ndihmojë skenën kulturore është, thjesht, të ndalet ‘së ndihmuari’. Se me këso improvizime e me këso vendime absurde e ad-hoc nuk ndihmohet as skena kulturore e as artistët individualisht e as trashëgimia kulturore”, ka thënë Neziraj. Ai ka vazhduar ta kritikojë MKRS-në për qasjen ndaj komunitetit artistik në raport me rrethanat e krijuara nga pandemia. “Thjesht, le ta ndërpresin çdo ndihmë e çdo ‘angazhim’ e çdo ‘përpjekje’, se kështu është më mirë dhe me shëndetshëm për skenën kulturore”, ka thënë Neziraj.
Thirrja ishte parë nga MKRS-ja si ndihmë për krijuesit e pavarur. Problem më vete ishte vlerësuar fakti se ajo nuk ka kryer asnjë kërkim në terren për t’i identifikuar nevojat e skenës së pavarur të kulturës.
“Kjo mungesë e të dhënave empirike për sektorin e kulturës ekziston edhe para pandemisë dhe ka pamundësuar vazhdimisht veprimin institucional adekuat karshi kontekstit lokal”, kishte thënë sociologia Blerta Ismaili në dhjetor, teksa kishte shtuar se grupi i punëtorëve të artit “PART” kritikonte kushtëzimin e Ministrisë për përkrahjen financiare me prodhime të reja.
Asokohe dramaturgu Jeton Neziraj kishte thënë se nuk bëhet fjalë për “ndihmë ndaj skenës së pavarur të artit, por për vitra”.