Mungesa e ekzaminuesve u nxjerr telashe kandidatëve për patentë shoferë dhe auto-shkollave

Janë bërë një vit prej kur kanë skaduar licencat e ekzaminuesve për patentë shoferë, mungesa e të cilëve u ka shkaktuar shumë telashe kandidatëve për shoferë dhe auto-shkollave. Nga Ministria e Infrastrukturës kanë njoftuar se aplikimi për testim të ekzaminuesve për licencim ka nisur nga e marta dhe do të përfundojë më 19 mars

Është bërë më shumë se një vit prej kur pajisja me patentë shoferë ka qenë pothuajse e pamundur, shkaku i mungesës së ekzaminuesve.

Shkaku i skadimit të licencave të tyre në mars të vitit të kaluar, rreth 100 kandidatëve në të gjithë Kosovën u ka skaduar vlefshmëria e testit teorik, për çka nuk do të kenë të drejtë të futen në provimin praktik, pa e përsëritur edhe njëherë provimin me shkrim.

Ndërkohë, mijëra të tjerë janë privuar për të kryer njërin nga dy testimet.

Reklama e sponzorizuar

Licencimi i ekzaminuesve është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, por ata nuk kanë pranuar të flasin se pse është zvarritur për një vit ky proces.

Por, në disa njoftime të lëshuara në ditën e martë, MI-ja ka bërë të ditur se që nga 17 marsi do të nisë paraqitja e provimit teorik për patentë shoferë, në mënyrë alfabetike.

“Për shkak të numrit të madh të kandidatëve të krijuar në Njësinë Regjionale të Patentë Shoferit në Prishtinë, po ju njoftojmë lidhur me orarin e paraqitjes së kandidatëve për provim teorik”, thuhet në njoftimin e MI-së.

Ndërsa aplikimi për testimin teorik për licencim të ekzaminuesve ka nisur nga 16 marsi dhe do të mbyllet më 19 mars.

“Ministria e Infrastrukturës fton të gjithë kandidatët e interesuar për licencim ose përtërirje të licencës për Pyetës të Drejtimit nga Pjesa Teorike, se të njëjtit mund të aplikojnë për paraqitje të provimit nga data 16.03.2021, deri më datën 19.03.2021”, ka njoftuar MI-ja.

Për licencim dhe përtërirje të licencimit do të kenë të drejtë të hyjnë në provim pa aplikim personat që kanë aplikuar më 25 dhe 26 janar, të cilëve u është shtyrë provimi.

Aktualisht, sipas Xhemshit Cakollit, kryetar i Federatës së auto-shkollave, në të gjithë Kosovën janë duke punuar rreth 20 ekzaminues të licencuar. Sipas tij, këto probleme kanë ardhur vetëm për shkak të neglizhencës së Ministrisë.

“Unë sa po e shoh është vetëm neglizhencë e Ministrisë, sepse këta nuk po duan të kryejnë punë si duhet, që t’u mundësohet qytetarëve realizimi i interesave të tyre për të cilat kanë nevojë”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se mungesa e ekzaminuesve përveç që u ka shkaktuar probleme kandidatëve për shoferë, u ka shkaktuar dëme të shumta edhe auto-shkollave.

“Kemi pësuar humbje edhe ne si auto-shkolla, për shkak të mosrealizimit të së drejtës së këtyre që e kanë kryer pjesën teorike të testit. Tash është edhe një farë neglizhence edhe e kandidatëve të tjerë të rinj, që nuk po vijnë të regjistrohen në auto-shkollë, për shkak se nuk po munden me iu nënshtruar provimit”, ka shtuar Cakolli.

Problemet e MI-së në këtë departament kanë nisur nga viti 2019, kur policia kishte arrestuar 23 zyrtarë të saj, të dyshuar për dallavere me patentë shoferë.

Muajve të fundit, për shkak të neglizhencave të ministrive, probleme ka pasur edhe me furnizimin e veturave me targa, për të cilat procedurat e prokurimit kishin nisur nga dhjetori i 2018-s.

Mungesa e targave ka nisur nga nëntori i 2020-s, por ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur kompaninë fituese të tenderit dhe më 11 mars ka nisur furnizimi me to.

“Nga data 11.03.2021, ka filluar pajisja e qytetarëve me targa RKS. Nga muaji nëntor 2020 deri më 10 mars 2021 janë dhënë 20.986 targa provuese, të cilat do të ndërrohen me ato të rregulltat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Tenderin prej 1 milion e 447 mijë eurosh për furnizim me targa e kanë fituar operatorët ekonomikë, G.S.G SH.P.K, KIG d.d dhe KIG KGA d.o.o.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 36 muaj.