Kadetët e rinj pranojnë nga 2 mijë euro në llogari nga 280 euro pagë, Ministria e Financave: Me pagën e muajit mars do të bëhen barazimet

Në pagën e muajit shkurt, disa kadetëve të ri të Policisë së Kosovës iu kanë dal më shumë para në xhirollogari sesa paga normale në bazë të koeficientit të tyre.

Sipas disa kadetëve, ata në llogaritë e tyre bankare kanë pranuar deri në 2,000 euro sesa paga e paraparë prej rreth 280 euro.

Lidhur me këtë, Ministria e Financave thotë se për shkaqe teknike, te disa kadetë të ri koeficienti i pagës iu është llogaritur më e lartë.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili ka thënë për Telegrafin se, me pagën e muajit mars do të bëhen barazimet në pagë.

“Njoftojmë se për shkaqe teknike, te disa policë të ri (kadet), që kanë hyrë për herën e parë në listë, grada ju është aplikuar jo e duhur, dhe për rrjedhojë ka dalë koeficienti më lart. Kjo është evituar menjëherë, dhe me pagën e muajit mars bëhen barazimet në pagë dhe vazhdon normalisht procesi”, tha Ahmeti.

Ai shton se, kadetët janë në listë të pagave dhe se sipas tij një barazim i tillë ndodh çdoherë.

“Këtu s’kemi të bëjmë me ndonjë problem meqë ata janë në listë të pagave dhe një barazim i tillë ndodh çdoherë, në këtë rast në bashkëpunim me administratës se policisë. Janë aspekte teknike pa pasoja ligjore as financiare”, përfundon Ismaili.