A keni ndalur ndonjëherë të mendoni se si janë marrëdhëniet tuaja në punë? Sipas një kërkimi të bërë nga Gallup, ata që kanë të paktën një marrëdhënie të mirë në vendin e punës, janë më shumë të kënaqur. Nuk është e nevojshme të kesh një mik të mirë, mjafton një marrëdhënie e shëndetshme e cila të jep kënaqësi.
Pse është kaq e rëndësishme të kesh marrëdhënie të mira edhe në zyrë? Njerëzit janë qenie sociale, dhe këtë e kemi kuptuar, mbi të gjitha, gjatë periudhës së lockdown. Ne kërkojmë marrëdhënie sociale miqësie dhe ndërveprimi pozitiv në mënyrë konstante. Në zyrë mund të jetë kolegu me të cilin ndiejmë kënaqësi të pimë kafenë në punë.
Marrëdhëniet e mira dhe të shëndetshme brenda kompanisë sjellin gjithashtu efekt pozitiv në përqendrimin e energjive. Në vend që të harxhoni energji në zgjidhjen e marrëdhënieve negative, energjitë mund të orientohen drejt një cilësie për punë më të mirë. Krijimi dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira, ndër të tjera, shërben edhe për rritjen e rrethit të njohjeve, brenda të cilit mund të lëvizni ose të mbështeteni në rast nevoje.
Çfarë mund ta përcaktojë një marrëdhënie të mirë?
1 – Besimi – Besimi është një vlerë, diçka që përshkon sjelljet tona gjithmonë. Të kesh marrëdhënie të besueshme në botën e punës kursen kohë në vend që ta harxhosh atë “duke kthyer kurrizin”.
2-Respekti i ndërsjellë – Respektimi i të tjerëve në vendin e punës është thelbësor për të krijuar një marrëdhënie të mirë. Nëse nuk respektojmë, nuk do të respektohemi. Por kjo nuk do të thotë të ndash të gjithë idetë apo vendimet.
3-Pranimi i diversitetit – Një marrëdhënie e mirë bazohet edhe në pranimin e diversitetit të të tjerëve dhe mirëpritjen në mënyrën më të mirë. Ju, jo detyrimisht duhet të ndani idetë dhe mendimet e të tjerëve, por vënia e vetes në vend të të tjerëve ju ndihmon në krijimin e marrëdhënieve më të mira.
4-Kini një komunikim të ndershëm dhe të hapur – Ne komunikojmë gjithë ditën, shpesh me instrumente të shkurtra si mesazhet tekst, që ndonjëherë nuk përfshijnë gjithçka.
Përpjekja për t’i kushtuar komunikimit pak më shumë kohë mund të përmirësojë marrëdhëniet tuaja. Ndërsa ne duhet të jemi të përkushtuar ndaj të gjitha marrëdhënieve, disa në veçanti kërkojnë më shumë përpjekje dhe vëmendje. Për shembull, marrëdhëniet me persona që mund të përcaktohen si palët e interesuara të një kompanie, njerëz – ndoshta – nga të cilët mund të varet karriera jonë, për mirë ose për keq. Pasi t’i keni identifikuar këta njerëz, është e rëndësishme t’i kushtohet më shumë kohë ndërveprimit pozitiv me ta.
Ndërtimi i marrëdhënieve të mira me klientët pastaj është thelbësore edhe për të ardhmen profesionale të gjithsecilit. Imagjinoni herën e fundit që ju është dashur të merreni me një klient të pakënaqur. Mendoni sa e vështirë ishte dhe sa energji keni shpenzuar. Megjithëse nuk mund t’i bëjmë të gjithë të lumtur, mbajtja e një marrëdhënie të ndershme, të besueshme dhe transparente do t’ju lejojë të zvogëloni dëmet në kohë krize.
Marrëdhëniet e mira me klientët mund të krijojnë mundësi pune, rritje në karrierë dhe njohje më të madhe profesionale. Si t’i ndërtoni ato?
1- Identifikoni nevojat e networking, duke u përpjekur të kuptoni se çfarë kanë nevojë të tjerët nga ne dhe çfarë kemi ne nevojë nga të tjerët.
2-Identifikoni kohën për t’iu kushtuar marrëdhënieve dhe ndërtimit të rrjetit (network). A po i kushtojmë kohën e përshtatshme?
3-Jini pozitivë – afrojuni të tjerëve me një qëndrim të mirë. Pozitiviteti është ngjitës dhe tërheq të tjerët.
4-Ruani hapësirat tuaja – të krijosh marrëdhënie nuk do të thotë të lejosh të tjerët të menaxhojnë hapësirën tënde.
5-Shmangni thashethemet – nëse lind një problem, ai duhet të trajtohet në mënyrë të hapur, vetëm me palët e interesuara. Nuk duhet diskutuar me gjithë zyrën.
*Francesca Contardi, Managing Director, EasyHunters
Burimi: Il Sole 24 Ore