Komuna e Pejës pretendon se AKP-ja i ka borxh rreth 2 milionë euro, kjo e fundit e mohon

Komuna e Pejës pretendon se në arkën e saj mungojnë së paku 1.5 milionë euro shumë bazë të planifikuara ndër vite për tatim në pronë, që ia ka borxh Agjencia Kosovare e Privatizimit. Sipas komunës, Ligji obligon AKP-në të paguaj tatimin në pronë për ndërmarrjet shoqërore që i menaxhon ajo dhe që janë të ngarkuara me tatim në pronë deri në momentin e privatizimit të tyre.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka obligime ndaj Zyrës komunale të Tatimit në Pronë në shumën bazë për tatim në pronë prej 1 milion e 570 mijë euro. Dhe kjo shumë është deri në vitin 2019. Shumën e borxhit për vitin 2020 ende nuk e kemi nxjerrë. Nëse kësaj shume i shtohet edhe kamata, dënimet dhe ngarkesat për vitin 2020 dhe 2021, atëherë borxhi është afërsisht 2 milionë euro i AKP-së ndaj arkës komunale për tatim në Pronë”, thotë Mentor Berbati, menaxher i sektorit për tatimin në pronë në Drejtorinë e Financave.

Ky borxh i AKP-së është grumbulluar prej vitit 2002 deri në momentin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore që kanë qenë në territorin e kësaj komunë dhe që ende ka edhe asete të pa shitura të ndonjë ish ndërmarrje shoqërore.

Reklama e sponzorizuar

Secila ndërmarrje shoqërore dhe asetet e tyre i ka të ndara ngarkesat për tatim në pronë, por siç thotë Berbati ende nuk i ka filluar pagesat e tatimit në pronë AKP-ja, e cila sipas Berbatit nuk i pranon kamatat dhe dënimet për mospagesën e tatimit në pronë.

“AKP-ja (ish AKM) ka paguar në vitin 2006 dhe 2007 një pjesë të vogël të tatimit në pronë për objektet e ish Ndërmarrjes Tregtare ‘17 Nëntori’, por pastaj i ka pezulluar pagesat e tatimit në pronë dhe që atëherë më nuk ka paguar asgjë për tatim në pronë për asnjë ndërmarrje shoqërore”, thotë Berbati.

Ai tregon se çdo vit kanë dërguar kërkesa pranë Departamentit për Tatimin në Pronë në Ministrinë e Financave për borxhet e papaguara ndaj komunës nga AKP-ja, dhe siç thotë Berbati në këtë ministri kanë marrë përsipër edhe të merren me procedurat përmbarimore për pagesën e borxhit të AKP-së që ia ka Komunës.

“Së fundmi edhe në vitin 2018 ja kemi dërguar Ministrisë së Financave listën e pronave në menaxhim të AKP-së që janë të ngarkuara me tatim në pronë më qëllim që AKP me na i derdh mjetet në konto, mirëpo ende nuk ka asgjë nga ato pagesa”, thotë Berbati.

Ky borxh i AKP-së nuk përjashtohet si një mundësi në komunë që të përfshihet në një “pazar” mes komunës dhe AKP-së. Me kërkesën e Komunës së Pejës, Qeveria e Kosovës me një vendim të sjellë në shtator të vitit 2018, kishte tërhequr nga procesi i privatizimit 13 prona shoqërore të cilat me atë vendim i kthehen komunës në pronësi më qëllim të realizmit të Planit Zhvillimor Komunal, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Me atë vendim të Qeverisë, Komuna obligohet ndaj AKP-së të kompensojë shumën prej 20 për qind të vlerës së pronave sipas vlerësimit për pagesën e pjesës së 20 përqindëshit për punëtorët si dhe për pagesat për kreditor në procedurë të likuidimit deri në shumën e përgjithshme të vlerësimit, në mënyrë që të vazhdohet me bartje të pronës në pronësi komunale. Ky vendim ende nuk është zbatuar në tërësi nga AKP-ja për të gjitha pronat që Komunës t’i kalojnë ato në pronësi për shkak se, siç i ka thënë muajin e kaluar AKP- ja KOHËS, Komuna e Pejës ende s’ka ndërmarr veprime lidhur me procedurat e vlerësimit të pronave dhe kompensimin e mjeteve që ngarkohet.

Mirëpo, siç thotë Arianit Krasniqi, drejtor komunal për Çështje Pronësore Juridike, Qeveria e Kosovës, me një vendim që ka sjellë në fund të vitit të kaluar, e ka marr për obligim pagesën e 20 për qindëshit për pronat shoqërore që kalohen në pronësi të komunës bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 18 shtatorit të vitit 2018.

Mirëpo, siç duket në komunë më tepër po “vranë” borxhi që ia ka AKP-ja komunës për tatim në pronë, sesa obligimet e komunës për 20 përqindësh.

“Ne do të takohemi si komunë me AKP-në dhe pa u taku me ata nuk mund them asgjë një herë. Ne duhet ta diskutojmë edhe çështjen e borxhit që ia ka komunës AKP-ja, e cila nuk po na i bart gjitha pronat për shkak të 20 përqindëshit”, tregon Krasniqi, kushtin e AKP-së për bartjen e gjitha pronave në pronësi të komunës, pavarësisht se AKP-ja anën tjetër i ka komunës borxh mbi 1.5 milionë euro vetëm për shumën bazike të tatimit në pronë, pa përfshi dënimet dhe kamatat në këtë shumë të papaguar.

Lidhur me këtë borxh, KOHA ka kontaktuar AKP-në, e cila ka mohuar ta këtë borxh shumën e pretenduar nga komuna.

“Sipas të dhënave që ne i posedojmë, kërkesat e parashtruara në procedurë të likuidimit, shuma e tatimit në pronë e papaguar nga ana e Ndërmarrjeve Shoqërore ( jo borxh i AKP-së) është në vlerë prej 766 mijë e 921 euro, ku shuma e pranuar e kërkesave të shqyrtuara nga Autoriteti i Likuidimit është në vlerë prej 366 mijë e 158 euro.

Deri më tani për Ndërmarrjet Shoqërore ku është bërë shpërndarja e përkohshme e mjeteve, Komunës së Pejës i janë paguar 72 mijë e 769 euro, si dhe shuma prej 108 mijë e 470 euro, është pagesa e kryer për tatimin në pronë për asetet e NSH-ve që nga futja e NSH-ve në likuidim e deri tek shitja e këtyre aseteve apo deri me datën kur janë bërë pagesat (për asetet e pashitura)”, thuhet në përgjigjën e AKP-së dërguar KOHËS.

Sipas AKP-së, Ndërmarrjet e Reja të privatizuara janë të obliguara të paguajnë tatimin në pronë për vitin e fundit të detyrimeve të krijuara për tatim në pronë që nga moment i nënshkrimit të kontratës së shitjes duke u kthyer një vit prapa.

“Kjo është e cekur në kontratë të shitjes dhe blerësit për këtë janë të informuar. AKP i ka dërguar shkresa Komunës së Pejës me të dhëna për Ndërmarrjet e Reja të privatizuara me data kur janë privatizuar ndërmarrjet e reja, në mënyrë që Komuna të trajtoj këtë borxh me blerësit e këtyre ndërmarrjeve të reja”, thotë AKP-ja.

Ky borxhi, sipas AKP-së është krijuar nga NSH-të të cilat nuk kanë qenë në gjendje të i përmbushin obligimet e tyre, dhe këto kërkesa, siç thuhet në përgjigjet e AKP-së, janë parashtruar dhe shqyrtuar në procedurë të likuidimit.

Me vendimin e Qeverise me 18 shtator 2018 janë tërhequr nga privatizimi 13 prona shoqërore qe i kalohen Komunës së Pejës, e për të cilat komuna obligohet të paguajë 20 përqindëshin e vlerës së tyre.

Mundësinë e barazimit të borxheve ndaj njëra tjetrës me obligimet që ngarkohen, e konsideron të pamundur AKP-ja, sipas të cilës kërkesat kreditore të parashtruara në procedurë të likuidimit nga ana e Komunës së Pejës për tatim në pronë dhe çështja e pronave të cilat me vendim të Qeverisë kalojnë në pronësi komunale, janë çështje të ndara.

“NSH-të përveç kërkesave kreditore për Tatim në pronë kanë edhe kërkesa tjera kreditore dhe pronësore ( të cilat janë aprovuar nga Autoriteti i Likuidimit ose nga DHPGJS në rast të ankesës në vendim të Autoritetit të Likuidimit), të cilat duhet të përmbushen në tërësi apo pjesërisht varësisht nga fondet e NSH-së, si dhe çështja e pagesave të 20 për qindëshit për punëtorë është çështje e rregulluara me Ligj ku të hyrat nga shitja e aseteve për NSH-në respektive i paguhen vetëm punëtorëve të asaj NSH-je që janë të kualifikuar”, thotë AKP-ja.

Mirëpo, vlera e pronave shoqërore që i kanë kaluar Komunës së Pejës me vendimin e Qeverisë së Kosovës, AKP ende nuk e dinë, pasi që sipas saj Komunat janë të obliguara të bëjnë vlerësimin e pronës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

“Deri më tani AKP nuk ka pranuar ende ndonjë vlerësim dhe nuk kemi informata për shumën që Komunat duhet paguar, sipas vendimit të Qeverisë. Ajo çfarë Komunat janë të obliguara të paguajnë është 20 përqindëshi i shumës totale të pronës bazuar në vlerësim, dhe pastaj në rast që NSH nuk ka fonde të mjaftueshme për mbulim të të gjitha kërkesave të parashtruara në procedurë të likuidimit, atëherë Komuna është e obliguar të bëjë pagesën edhe të shumës tjetër”, thuhet në përgjigjet e AKP-së dërguar KOHËS.