Ministria e Ekonomisë pagoi mbi 5 milionë euro për shpronësime

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ekzektuar gjithsej 5 milionë e 202 mijë euro për shpronësimet e disa banorëve, nga vendimet gjyqësore vetëm gjatë vitit 2020. Të gjitha këto pagesa direkte ishin bërë nga Thesari i shtetit.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin e auditimit për këtë ministri, ka konstatuar se për gjashtë raste nga pagesat e lartëcekura në vlerë të 3 milionë e 673 mijë e 391 euro, ministria ishte obliguar që të paguajë edhe 45 mijë euro tjera si shpenzime shtesë për procedura të përmbarimit, pas ankesave të palëve.

E gjithë kjo kishte ndodhur për shkak se pronarët që kanë qenë pjesë e procesit të shpronësimit, në rastet kur ata janë të pa kënaqur me vendimin përfundimtar të shpronësimit, kanë të drejtë të ankohen në gjykatë, gjë që edhe e kishin bërë dhe e kishin fituar rastin.

Reklama e sponzorizuar

“Për gjashtë (6) raste të testuara të këtyre pagesave në shumë 3,673,391€, Ministria ka paguar 45,032€ shpenzime shtesë për procedura të përmbarimit”, thuhet në raport.

Kjo ministri paguan vazhdimisht shpronësime përmes vendimeve gjyqësore, thonë nga ZKA.

Sipas zyrtarëve të ministrisë, afati për ekzektutimin e vendimeve gjyqësore të plotfuqishme nga data e pranimit është 30 ditë e në disa raste 15 ditë dhe pas këtij afati pala ose avokati i palës e dërgon vendimin gjyqësor në procedurë përmbarimore.

Ndërkohë në disa raste kur pala fiton kontestin, nuk dërgon dokumentacionin e nevojshëm për pagesë në ministri fare, si kopjen e llogarisë bankare dhe letërnjoftimit, por e dërgon rastin direkt te përmbaruesi.

E mungesa e buxhetit për kompensimin e të gjitha kërkesave të palëve që janë përfshirë në shpronësim ka shkaktuar shpenzime shtesë në procedurat përmbarimore, pasi që shpenzimet e taksave përmbarimore dëmtojnë rëndë buxhetin e ministrisë,  vlerësojnë nga ZKA.

Auditori rekomandon Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të sigurojë që pas pranimit të vendimeve nga Gjykata ta sigurojë kompletimin e dokumentacionit nga akterët e përfshirë në proces me qëllim që lënda të kompletohet dhe të procedohet për pagesë.

Ndryshe, sipas ligjit, kur një gjykatë nxjerrë urdhër ose vendim me të cilin kërkohet nga një autoritet publik që të paguajë çfarëdo lloji të kompensimit monetar ndaj një personi dhe urdhri ose vendimi nuk i nënshtrohet të drejtës së ankesës nga autoriteti publik ose autoriteti publik nuk e ka ushtruar këtë të drejtë me kohë, gjykata menjëherë i dërgon një kopje të urdhrit ose vendimit Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë përkatëse, për ekzekutimin e pagesës në fjalë. /Buletini Ekonomik/