Varësia, jo vetëm nga prodhuesit e baterive, por edhe nga lëndët e para, si litiumi dhe grafiti në veçanti, e bën delikat ekuilibrin gjeopolitik.
Viti 2021 mund të mbahet mend, jo vetëm si viti kur nisi fushata më e madhe e vaksinimit në histori, në mbarë botën, por edhe si një moment zhvillimi në tranzicionin drejt lëvizshmërisë elektrike. Norvegjia është vendi i parë që ka përqafuar këtë ndryshim, me 54% të automjeteve të reja të shitura elektrike.
Në fillim të vitit, shtëpitë e mëdha automobilistike amerikane, pas një lloj hezitimi, duket se janë bashkuar përfundimisht me zgjedhjen elektrike. Duke nisur nga viti 2035, General Motors parashikon të prodhojë vetëm automjete dhe kamionë të lehtë elektrikë. Ford do të investojë edhe 11 miliardë dollarë për kërkimin dhe zhvillimin në sektor dhe 7 miliardë të tjera për makinat me vetëdrejtim.
Në Europë, në këtë garë, e para është Volkswagen, e cila sfidon Tesla-n me investime 37 miliardë dollarë. Prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në botë është Tesla, që shet çdo orë më shumë automjete elektrike se BMW, Volkswagen e Renault të bëra bashkë. Aftësia e jashtëzakonshme vizionare e Elon Musk e ka bërë Tesla-n kompaninë automotive me vlerën më të lartë në botë dhe vetë Musk, njeriun më të pasur, duke lënë pas Jeff Bezos.
Por, tregu kryesor është Kina, që prodhon 2.5 herë më shumë automjete elektrike se SHBA. Në fund të 2020-s qarkullonin 4.7 milionë makina elektrike dhe tranzicioni drejt lëvizshmërisë me ndikim zero është vendosur si përparësi për të reduktuar ndotjen urbane.
Prodhuesit kinezë të makinave elektrike po zgjerohen me shpejtësi dhe në një kohë të shkurtër, markat BYD, BAIC, Geely, Wuling, Xpeng dhe NIO mund të na bëhen familjare. Këshilli Shtetëror Kinez publikoi në nëntor të 2020-s “New Energy Vehicle Industry Development Plan (2021-2035)”, sipas të cilit, brenda 2025, shitjet e automjeteve “new energy” duhet të arrijnë në 20% të totalit, ndërsa brenda vitit 2035, automjetet elektrike duhet të përfaqësojnë pjesën më të madhe të shitjeve të automjeteve të reja.
Zgjedhja e Kinës duket e qartë dhe e pakthyeshme dhe për madhësinë e tregut të saj, me shumë gjasa do të kushtëzojë në mënyrë vendimtare të ardhmen e lëvizshmërisë në botë. Industritë automobilistike që nuk do të ndjekin këtë linjë rrezikojnë të përjashtohen nga tregu më i madh dhe fitimprurës i automjeteve në botë.
Gara e automjeteve elektrike do të sjellë ndryshim të thellë në zinxhirin e furnizuesve ku software, bateritë dhe gjysmëpërçuesit do të bëhen elemente kyçe. Në 2020, megjithatë, shitjet e makinave elektrike përfaqësonin vetëm 3% të totalit në botë, ndërkohë që kostoja e tyre është më e lartë se ajo e automjeteve konvencionale. Një ndër sfidat e së ardhmes do të jetë shndërrimi i një produkti të kushtueshëm në një të tillë për masën. Kjo është sfida që Tesla i ka vënë vetes për ta fituar me çdo kusht.
Prodhimi i një automjeti elektrik është më i thjeshtë se ai i makinave me motor me djegie të brendshme dhe do të kërkojë më pak fuqi punëtore dhe riorganizim të thellë të fabrikave. Vlerësohet se një motor me djegie të brendshme ka rreth 110 pjesë lëvizëse krahasuar me tre në një makinë elektrike. Reduktimi i personelit në impiantet prodhuese duhet të kompensohet nga rritja e punonjësve për softuerë, në industrinë e gjysmëpërçuesve dhe inxhinierëve.
I gjithë zinxhiri i prodhimit dhe shpërndarjes së karburanteve do të pësojë ndryshim rrënjësor dhe do të kërkohen investime të mëdha, për të ngritur një rrjet stacionesh rikarikimi dhe një rrjet inteligjent (smart grid), i aftë të menaxhojë një sistem kompleks elektrik. Thjeshtësia më e madhe e makinave elektrike do të kërkojë më pak ndihmë teknike dhe ofiçinat mekanike që njohim deri më sot do të ndryshojnë dhe shumë do të mbyllen.
Fronti tjetër i nxehtë do të jetë ai i baterive, ndërkohë që sot jemi të varur nga prodhuesit e naftës, varësia, shumë shpejt mund të zhvendoset në frontin e prodhuesve të baterive. Furnizuesit kryesorë janë japonezë, koreanë, kinezë dhe amerikanë. Por nga 142 fabrika të mëdha për prodhimin e baterive të litiumit, aktualisht në ndërtim e sipër në botë, 107 do të jenë në Kinë.
Varësia, jo vetëm nga prodhuesit e baterive, por edhe nga lëndët e para, si litiumi dhe grafiti në veçanti, e bën delikat ekuilibrin gjeopolitik. Në dekadën e ardhshme, kërkesa për litium duhet të rritet me 9 herë, ajo për kobalt me 6, për nikelin 5 dhe grafitin 9. Për këtë arsye, furnizimi me këto lëndë të para do të jetë thelbësor për të siguruar kontrollin e zinxhirit të furnizimit.
Gara për prodhimin e baterive ka nisur edhe në Europë dhe tashmë janë njoftuar apo nisur rreth 25 projekte në fabrika të mëdha për bateri litiumi, me kapacitet prodhues vjetor të parashikuar prej 600 GWh, që do të pajisnin rreth 9 milionë automjete në vit. Prodhuesit e makinave po pozicionohen shpejt për të siguruar bateritë, për të cilat do të kenë nevojë. Mercedes Benz ka firmosur një marrëveshje strategjike me fabrikën kineze të baterive Farasis Energy, për të nisur prodhimin në një impiant të ri në Bitterfeld-Wolfen.
Prodhuesi më i madh i baterive për automjete elektrike në botë, Contemporary Amperex Technology Ltd, furnizues i Audi, BMW, Hyundai-Kia, Volvo e Mercedes, do të investojë 3.7 miliardë dollarë për të katërfishuar kapacitetin prodhues. Bota e baterive elektrike, megjithatë, është në lëvizje të shpejtë dhe e para në garë, është Tesla, e cila ka prezantuar bateritë e reja pa kobalt, që do të siguronin rikarikimin e famshëm prej 1 milionë e gjysmë kilometra. Falë inovacionit në bateri, Tesla duhet të jetë në gjendje të shesë një makinë të saj me çmim 25,000 dollarë, i përballueshëm për një pjesë të madhe konsumatorësh.
Bateritë e gjeneratës së re duhet të jenë më të lehta, të lejojnë karikim të shpejtë, të sigurojnë autonomi të lartë, të hidhen lehtësisht pa ndikuar në mjedis dhe të mos përdorin lëndë të para të rralla. Një sfidë jo e vogël. Përveç baterive do të jetë i nevojshëm sigurimi i gjysmëpërçuesve për funksionimin e makinave elektrike, që janë qindra të tillë për një makinë të vetme.
Vlera e gjysmëpërçuesve në një makinë elektrike do të peshojë mbi 1 mijë euro për automjet. Në Angli, start-up Arriva po zhvillon autobusë dhe minivan elektrikë të gjeneratës së re që do të dalin në shitje me një çmim të ngjashëm me atë të një autobusi me motor me djegie të brendshme. Fabrikat e Arrival përdorin një sistem prodhimi inovativ me mikro-impiantë tërësisht të robotizuar për të ulur kostot e prodhimit. Ndërkohë UPS ka porositur 10.000 van elektrikë tek Arival për t’i përdorur në shërbimin e dërgesave.
Burimi: Business Insider