Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shpërfillur kërkesën e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që parasheh krijimin e një monopoli të ri në tregun e naftës.
Kjo ministri ka krijuar një komision për ndryshimin e Udhëzimit për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.
Por kjo po kundërshtohet nga Shoqata e Naftëtarëve, e cila po e sheh si tentativë tendencioze dhe në dëm të sektorit të naftës.
Kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani, ka thënë se nuk janë pjesë e këtij komisioni, i cili – siç ka thënë ai – tenton të bëjë veprime të jashtëligjshme, duke vendosur barriera për kompanitë e naftës me qëllim të krijimit të kushteve për përfitime enorme monopolistike të kompanive të caktuara.
“Shoqata e Naftëtarëve nuk është kundër pigmentimit, por duhet të autorizohet Dogana, e jo grupe të caktuara të autorizohen. Nuk parashihet me ligj pigmentimi apo ngjyrosja dhe nuk ka drejtë me udhëzim administrativ të autorizojë një kompani ose X person se dihet kush janë ata”, ka thënë ai.
Por ai nuk ka folur për dyshimet rreth kompanisë apo procesit.
“Trupat inspektuese kemi kërkuar që të anulohen, pasi janë trupa fantomë dhe vetëm plaçkisin biznese dhe nuk kontrollojnë cilësi. Kështu që janë autorizuar dy trupa private. Kjo është një përgjegjësi e ministrit Vesel Krasniqi dhe këtu duhet të merren masa”, ka theksuar Berjani.
KOHA ka marrë vesh se MTI-ja tashmë ka zgjedhur edhe kompaninë e cila do të merret me shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë 5-vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vjet të tjerë.
Kompania e përzgjedhur është nga Shqipëria “Sicpa Kosovo”. Kjo kompani është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë tek më 12 shkurt dhe drejtor ka Samir Shqarrin.
KOHA ka provuar të kontaktojë me përfaqësues të kompanisë, por ata nuk janë përgjigjur.
Ndërkohë, as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që nga e marta nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me udhëzimet administrative dhe me kompaninë e përzgjedhur.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 11 janar kishte kërkuar nga MTI-ja që të shfuqizojë Udhëzimin Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës. Në shkresën drejtuar Ministrisë thuhet se Udhëzimi është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Zyra Ligjore e kryeministrit pasi ka bërë shqyrtimin e Udhëzimit Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të Lëngëta të Naftës ka vërejtur se duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike, dispozita e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin e Cilësisë së Karburanteve të Lëngëta të Naftës sa i përket kontrollit të produkteve, gjegjësisht të karburanteve të lëngëta të naftës para hyrjes së tyre në treg, si dhe shënjimit të karburanteve të lëngëta të naftës, rregullojnë materie përtej autorizimeve ligjore, të përcaktuara me Ligjin për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, Kodit doganor dhe të akcizës, Ligjit për kundërvajtje dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresë.
Shënjimi i karburanteve tregon se cilësia e naftës është verifikuar dhe ka kryer obligimet doganore. Kjo bëhet duke injektuar karburantet e lëngëta me produktin unik dhe të poqëm për shënjim.
MTI-ja nuk ka publikuar se sa duhet të paguajë një biznes për litër të shënjuar.
Shënjimi i karburanteve në Shqipëri kishte filluar në vitin 2013. Çmimi për litër të shënjuar është 5 centë.
Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar 602 milionë litra naftë. Nëse do të jetë çmimi si në Shqipëri i bie që kompania do të përfitojë rreth 30 milionë euro në vit.
Kjo, sipas Shoqatës së Naftëtarëve, do të ndikojë që çmimi i naftës të rritet. MTI-ja ka tentuar që të krijojë monopol edhe përmes Udhëzimit për pastrim të rezervuarve, por që ai është shfuqizuar.