Nafta zgjeron humbjet – Investitorët, të shqetësuar për ngadalësimin e rritjes ekonomike

Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të tretën ditë me radhë. Investitorët janë të shqetësuar se rimëkëmbja ekonomike do të dëmtohet nga vendimet e shumë vendeve europiane për të pezulluar përkohësisht vaksinën e AstraZeneca.

Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e dy sesioneve më parë, për shkak të rritjes së rezervave në SHBA dhe shqetësimeve për rimëkëmbjen e kërkesës, pasi Gjermania, Italia, Franca dhe shumë vende europiane ndaluan përkohësisht përdorimin e vaksinës së AstraZeneca.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64.5 dollarë për fuçi. Germania, Franca dhe Italia njoftuan pezullimin e injeksionit të AstraZeneca, pas raportimeve se mund të ketë efekte serioze anësore, pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë të dhënë që e vërteton këtë. Këto vendime po rrisin shqetësimet mbi hapin e ngadaltë të vaksinimit në Bashkimin Europian, që mund të pengojë rimëkëmbjen e ekonomisë.

Reklama e sponzorizuar

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervat e naftës vijuan rritjen për shkak të të ftohtit të madh muajin e kaluar, që detyroi shumë kompani të ndalojnë operacionet. Megjithatë, analistët dhe investitorët po presin të dhënat e Institutit Amerikan të Naftës mbi rezervat gjatë javës së kaluar, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Ndërsa të mërkurën publikohet raporti zyrtar nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. /Scan tv/