Pothuajse një e treta e 217 destinacioneve të njohura të udhëtimeve nëpër botë mbeten plotësisht të mbyllura për turistët ndërkombëtarë, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), me shqetësimin në rritje për variantet e reja të Covid-19.
Që nga fillimi i shkurtit, 32% e të gjitha destinacioneve në të gjithë botën (69 në total) janë plotësisht të mbyllura për turizmin ndërkombëtar. Prej tyre, pak më shumë se gjysma (38 destinacione) janë mbyllur për të paktën 40 javë. Në të njëjtën kohë, 34% e destinacioneve në mbarë botën tani janë pjesërisht të mbyllura për turistët ndërkombëtarë.
“Kufizimet e udhëtimit janë përdorur gjerësisht për të kufizuar përhapjen e virusit. Tani, ndërsa punojmë për të rifilluar turizmin, duhet të pranojmë se kufizimet janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Përdorimi i tyre duhet të bazohet në të dhënat dhe analizat e fundit dhe të rishikohet vazhdimisht në mënyrë që të lejojë rifillimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të një sektori nga i cili varen shumë miliona biznese dhe vende pune”, tha Zurab Polilikashvili, sekretari i përgjithshëm i UNWTO.
Nga 69 destinacionet ku kufijtë janë plotësisht të mbyllur për turistët, 30 janë në Azi -Paqësor, 15 janë në Europë, 11 janë në Afrikë, 10 janë në Amerikë dhe tre janë në Lindjen e Mesme.
Më shumë se gjysma e destinacioneve jashtë kufijve kanë qenë të paarritshme që nga 27 prilli i vitit të kaluar, me Azi-Paqësorin dhe Europën rajonet më të prekura, sipas Raportit të Kufizimeve të Udhëtimit të UNWTO.
Mbi një e treta e destinacioneve turistike globale janë tani pjesërisht të hapura, me Shqipërinë, Kosta Rikën, Republikën Dominikane, Maqedoninë e Veriut dhe Tanzaninë duke hequr të gjitha kufizimet e udhëtimit që lidhen me Covid.
Një numër në rritje i vendeve po u kërkon turistëve të paraqesin një test negativ PCR ose test antigen të Covid gjatë hyrjes, si dhe të dhëna të kontaktit për gjurmimin.
32% e destinacioneve kanë bërë testin negativ kërkesën kryesore për mbërritjet ndërkombëtare shpesh të kombinuara me karantinë, ndërsa e njëjta përqindje i ka bërë testet një masë dytësore ose terciare./Monitor.al/