Ofertat e ulëta në tenderin për aviobileta çojnë në manipulimin e çmimeve

Agjencisë Qendrore të Prokurimit nuk i ka shërbyer përvoja me kontratën e deritashme për aviobileta, nëpërmjet së cilës kompania ka mundur të manipulonte me çmime.

Ajo e ka shpallur fituese “Altavia Travelin”, oferta e së cilës tregon se nga kontrata 5-milionëshe i siguron fitime asaj vetëm 750 euro. E, me to, nuk mund ta mbulojë as koston e pagës së muajit të parë, nga diku 36 sish, për tre të punësuar që kërkohen.

Bazuar në dosjen e tenderit kompanitë nuk mund të bëjnë tregti me 12,500 aviobiletat, për të cilat do të lidhet kontrata. Ato duhej të ofertonin me çmimin për tarifën e shërbimit, që është e njëjtë për secilën biletë që e blejnë dhe ua ofrojnë institucioneve.

Reklama e sponzorizuar

Oferta që “Altavia Travel” ka ofruar ishte vetëm 6 centë për shërbimin e një bilete.

Në këtë kompani nuk kanë dhënë shpjegime gjatë ditës në lidhje me koston e tërësishme për zbatimin e kontratës dhe as për atë se nga çfarë burimesh do të mbulohet kjo kosto, meqë nga tarifa e shërbimit për tre vjet mund t’i sigurojë vetëm 750 euro fitime.

“Malësia Reisen” kishte ofertuar me çmimin 4 euro e 20 centë për biletë, përkatësisht me vlerën 52 mijë e 500 euro për totalin e kontratës. Ajo është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit me pretendimin se kompania fituese është dashur të shpallej e papërgjegjshme.

“Nuk mund të arsyetohet absolutisht tarifa e shërbimit të dhënë nga Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë, prandaj është dashur të shpallet OE i papërgjegjshëm”, thuhet në ankesën e “Malësia Reisen”.

Me kompaninë “Malësia Reisen” ishte lidhur kontrata që tash skadon.

KOHA raportoi në shtator se fitimi sigurohej nga manipulimi me çmime të biletave, ani se kontrata kërkonte që ato t’u ofroheshin institucioneve aq sa bliheshin dhe që kompania të merrte vetëm shumën e tarifës së shërbimit, e që ishte 3 euro.

Hulumtimi gjeti se për më shumë se 2,200 bileta institucionet kanë paguar mbi një milion euro, pa pranuar nga kontraktuesi dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real ose nëse biletat ishin shfrytëzuar vërtet ose jo.

E, bazuar në raporte, biletave u ishin përshkruar çmime deri në 11 mijë e 748 euro.

Në Agjencinë Qendrore të Prokurimit kanë thënë se në dosjen e tashme të tenderit kanë përfshirë një kërkesë të re, me qëllim për t’i evituar manipulimet e kësaj natyre.

“Kontraktuesi është i obliguar të vendosë kamera para kompjuterit që të xhirohet e gjithë procedura e rezervimit të biletës, tek një kompjuter në zyrën e kontraktuesit dhe të gjitha ato xhirime duhet të ruhen nga kontraktuesi dhe secila video duhet të jetë e qartë dhe e pastër, ku mund të verifikohen çmimi, datat dhe të gjitha të dhënat gjatë rezervimit të biletës”, thuhet në dosjen e tenderit.

Vite më herët “Altavia Travel” ishte pjesë e një konsorciumi fitues. Edhe atëkohë Agjencia Kundër Korrupsionit kishte konstatuar se bëhej fjalë për çmim jonormalisht të ulët, dhe kishte alarmuar se kompanitë fitimin do të synonin ta nxirrnin gjatë zbatimit të kontratës, nëpërmjet manipulimit me çmimin e biletave.