B2-shi pritet të rikthehet në prodhim kah mesdita e sotme

Zyrtarë nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK, i kanë thënë sot Buletinit Ekonomik se “është duke u punuar pa ndërprerë nga ekipet e mirëmbajtjes së KEK-ut për riparimin e avarisë teknike, rrjedhjes së ujit në gypa, dhe në bazë të punëve të zhvilluara deri sot në mëngjes, është shumë pranë riparimi i avarisë teknike në B2-shin.

Buletini Ekonomik

Gjendja elektroenergjetike në Kosovë, edhe sot vazhdon të jetë e brishtë për pasojë të mungesës së madhe të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Edhe pse rikthimi i bllokut B2, ishte paralajmëruar të bëhet në orët e mëngjesit, deri diku rreth orës 8, kjo nuk ndodhi.

Reklama e sponzorizuar

Rikthimin rreth orës 8 të së enjtes e kishte paralajmëruar edhe ministrja Artane Rizvanolli, gjatë vizitës të së mërkurës që i bëri termocentraleve Kosova B.

“Gjatë vizitës u informova se në Bllokun B2 kishte një rrjedhje, si pasojë e së cilës blloku është dashur të nxirret jashtë funksionit mbrëmë pas mesnate. Megjithatë, ekipet janë duke punuar me intensitet të lartë dhe blloku pritet të rikthehet në funksion deri nesër në orën 08:00 të mëngjesit. Falënderova punëtorët dhe menaxhmentin, të cilët me vetëmohim po punojnë paralelisht në remontin e Bllokut B1 dhe në sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2.”, ka thënë ministrja Rizvanolli me këtë rast.

Ndërsa zyrtarë nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetet të KEK-ut, i kanë thënë sot Buletini Ekonomik se “është duke u punuar pa ndërprerë nga ekipet e mirëmbajtjes së KEK-ut për riparimin e avarisë teknike, rrjedhjes së ujit në gypa, dhe në bazë të punëve të zhvilluara deri sot në mëngjes, është shumë pranë riparimi i B2-shit.

“Pritet që brenda 48 orëshit të parashikuar të rikthehet ky bllok në prodhim”.

Derisa të rikthehet në funksion B2, Kosova do të ketë fare pak energji të veten, përkatësisht 115 megavatë nga blloku A4 i Kosovës A dhe 68,75 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE).

Kosova, pra, do të ketë edhe sot mungesë të madhe të energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet elektroenergjetike vetanake- termocentralet Kosova B dhe Kosova A.

Sipas pohimeve të zyrtarëve të KEK-ut, kjo korporatë ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që është afërsisht rreth 90 për qind të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2, që përafërsisht është sasia që KEK-u i dërgon edhe në rrethanat më normale KESCO-s.

Edhe në termocentralet e stërvjetruara, por ende në prodhim të Kosovës A, situata energjetike është e keqësuar ndjeshëm për shkak se nga tre njësitë e termocentralit Kosova A, në prodhim gjendet vetëm blloku A4 me rreth 115 megavatë orë, ndërsa A5 dhe A3 janë jashtë funksionit.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar sot që në mëngjes se njësia A3 e Termocetranlit Kosova A do të ndalet nga puna sonte. Shkaku i ndalesës së këtij blloku janë problemet e ndjeshme me humbjen e ujit. Për këtë, KEK thotë se ka njoftuar me kohë Kompaninë e Distribuimit të Energjisë Elektrike. /Buletini Ekonomik/