Pa mbështetje financiare mbi 60 mijë persona që humbën vendin e punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka arritur që të caktojë kriteret se kush mund të përfitojë nga masa për mbështetje financiare të personave që humbën vendin e punës shkaku i pandemisë. Nga Sindikata e Sektorit Privat thonë se zvarritja është bërë me qëllim, pasi shuma për këtë masë nuk ka mbuluar as 20 për qind të pagave për ata që humbën punën. Ndërkohë në Agjencinë e Punësimit tregojnë se nga marsi i vitit të kaluar si punëkërkues të rinj janë regjistruar mbi 64 mijë persona

Rreth 60 mijë persona që llogaritet se kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë kanë mbetur pa mbështetje financiare. Kjo pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka arritur që as pas 4 muajsh nga miratimi i Ligjit për Rimëkëmbje të caktojë kriteret se kush do të mund të përfitojë nga masa e paraparë për ata që humbën vendin e punës.

Një takim i Grupit ndërministror për këtë çështje ishte caktuar të mbahet ditën e pranim-dorëzimit të detyrës te ministri i ri, por që dështoi shkaku i paqartësive pas ardhjes së Qeverisë së re.

Nga Sindikata e Sektorit Privat thonë se zvarritja ishte e qëllimshme, pasi për këtë masë janë ndarë vetëm 10 milionë euro, që nuk mbulojnë as 20 për qind të mbështetjes për punëtorët e larguar.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i kësaj Sindikate, Jusuf Azemi, ka thënë se pavarësisht presioneve që të zbatohet Ligji për rimëkëmbje, kjo nuk është bërë nga ana e Qeverisë në largim.

“Në moment që do të vendoseshin kriteret dhe aplikacioni, atëherë do të kishte një pakënaqësi të madhe pasi numri 10 mijë me 60 mijë të larguar nga puna në vitin 2020 me kontrata, pasi janë të larguar mbi 100 mijë, atëherë do të kishim një diskrepancë të madhe dhe qëllimisht i kanë zvarritur gjoja se për kritere, e që këto kritere do të ishin të thjeshta… Kritere kanë mundur të jenë kontrata e punës, vendimi i largimit nga puna për shkak të pandemisë dhe Trusti Pensional”, ka theksuar Azemi.

Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se Grupi punues ka qenë duke punuar në caktimin e kritereve, por që dokumenti nuk është finalizuar.

“Këto kritere do të përfshihen në draft-vendimin, i cili do të dërgohet në Qeveri për aprovim. Për implementimin e kësaj mase, Qeveria ka angazhuar edhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, për krijimin e një platforme elektronike, përmes së cilës do të bëhet aplikimi për të gjithë ata që kualifikohen si përfitues të kësaj mase”, shkruhet në përgjigjen e MPMS-së.

Megjithatë, me përbërjen e re të Qeverisë, Ministria e Punës do të jetë në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ministër i së cilës është caktuar Hekuran Murati.

Pjesa e Mirëqenies Sociale do të shkojë te Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse Ligji për rimëkëmbje parashihte nga 300 euro për tre muaj për ata që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë, Qeveria kishte ndarë vetëm 10 milionë euro për këtë masë. Me këto mjete do të mund të ndihmohen vetëm 11 mijë persona, ndërsa vendin e punës zyrtarisht llogaritet se e kanë humbur rreth 60 mijë.

Por, Azemi ka një propozim për Qeverinë e re.

“Ne i propozojmë Qeverisë së re që shuma prej 10 milionësh të dyfishohet dhe shuma që kanë paraparë prej 900 eurosh të jetë shumë 450 euro, pasi nuk është në natyrën e Sindikatës që të thotë të ulë shumën, por qëllimi është që të marrin një numër më i madh i punëtorëve të larguar nga puna dhe jo të marrë dikush nga 900 euro dhe dikush të mos marrë fare”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se me këtë do të mund të përfitonin diku 45 mijë punëtorë.

“Sipas llogarisë sonë, nëse dyfishohet shuma nga 10 në 20 milionë dhe nëse ulet shuma për 50 për qind, atëherë mbi 45 mijë punëtorë do ta gëzojnë të drejtën edhe pse realisht nuk është numri i mjaftueshëm, pasi zyrtarisht mbi 60 mijë punëtorë i kemi të larguar nga puna me kontrata pune”, ka theksuar Azemi.

Javën e ardhshme ka thënë se do të kërkojnë që të takohen me kryeministrin e ri, Albin Kurti, dhe me ministrat e ri përgjegjës për zbatimin e masave që janë në përkrahje të sektorit privat, për të kërkuar, siç ka thënë, mbështetje më të shpejtë për të papunët dhe punëtorët e sektorit privat.

Nga Agjencia e Punësimit kanë thënë për KOHËN se nga marsi i vitit të kaluar deri më 23 mars të këtij viti janë regjistruar mbi 64 mijë e 265 punëkërkues të rinj, prej të cilëve mbi 22 mijë i përkasin moshës mes 25-39 vjeç.

Mbi 31 mijë punëkërkues të rinj janë të gjinisë femërore, ndërsa 33 mijë i takojnë gjinisë mashkullore.