Për çfarë ia vlen të hapësh biznes?! Sektorët ku fitohet më shumë në vend

Të menaxhosh një biznes, sidomos të vogël sa vjen e po bëhet më e vështirë.

Rënia e konsumit, shtimi i konkurrencës nga zinxhirët dhe qendrat e mëdha vetëm sa po ulin xhiron, por dhe fitimet që nxjerr subjekti në fund të muajit.

Por, a e dini se cilët janë ato lloje biznesesh që kanë fituar më shumë në raport me të ardhurat totale? Përgjigja vjen nga INSTAT, që ka publikuar të ardhurat dhe fitimet për 31 aktivitete ekonomike kryesore në vend, që i përkasin vitit 2019. Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, duke nxjerrë normat e fitimit për çdo aktivitet (fitime neto/ardhurat totale), që tregon se për çdo 100 lekë të ardhura, sa për qind i mbetet sipërmarrjes si fitim.

Reklama e sponzorizuar

1.Pasuritë e paluajtshme

Në vend të parë për vitin 2019 ka kaluar aktiviteti i pasurive të paluajtshme, me një normë fitimi prej 25%, nga gati 19% që ishte vitin e mëparshëm. Kthimi i Tiranës në një kantier ndërtimi, rritja e shitjeve si rrjedhojë e hyrjes së burimeve informale, kanë bërë që biznesi i pasurive të paluajtshme të bëhet i preferuar. Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i subjekteve që merren me aktivitetin e pasurive të paluajtshme është dyfishuar vitet e fundit, duke iu afruar 800. Edhe gjatë periudhës së pandemisë, ambientet që po lirohen nga bizneset që po mbyllen, po kthehen në zyra të pasurive të paluajtshme.

Të dhënat zyrtare të INSTAT bëjnë të ditur se në tremujorin e dytë 2020, aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti një nivel historik të lartë, të paktën që nga fillimi i vitit 2008, kur raportohen të dhënat.

Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente, i papërshtatur sezonalisht, për aktivitetin e pasurive të paluajtshme ishte gati 26 miliardë lekë, ose rreth 210 milionë euro, me një rritje të ndjeshme nga tremujori i parë 2020 (shih grafikun e parë). Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se ky sektor ka shënuar një rritje të fortë që nga tremujori i parë i vitit 2018.

2.Shërbimet profesionale

Biznesi i mendjes po vlerësohet më shumë vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në vitin 2019, ky aktivitete rezultoi me një normë fitimi prej 23%, nga 15.3% vitin e mëparshme. Ndërkohë shumë profesione të lira kanë hapur subjekte dhe janë shkëputur nga punëdhënësit, për shkak të tatimit të lartë mbi pagat mbi 150 mijë lekë.

3.Letra dhe shtypshkrimet

Ndonëse letra duket e dalë jashtë mode për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe komunikimit online, sërish biznesi i letrës dhe shtypshkrimeve vijon të jetë fitimprurës. Sipas INSTAT, norma e fitimit të këtij aktiviteti ishte 18.9% në 2019-n, nga 12.8% një vit më parë.

4.Posta dhe magazinimi

Aktiviteti postar ka marrë një dimension të ri pas zhvillimit të tregtisë online. Sipas INSTAT, ai rezulton sektori i katërt më fitimprurës në vend, me një normë prej 17.6% në 2019-n, ndonëse në rënie, në raport me 20.6% vitin e mëparshëm.

Sektorë të tjerë

Listën e aktiviteteve fitimprurëse e vijojnë shërbimet e informacionet, me kthim 17.1%. akomodimi ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të performancës, me kthim 20%, nga 2% vitin e mëparshëm, teksa 2019-a ishte viti më i mirë historik për turizmin, me mbi 6.2 milionë shtetas të huaj që hynë në vend. Shëndetësia është një tjetër aktivitet i mirë (13.7%), sidomos pas pandemisë.

Shërbimet ushqimore (baret e lokalet) fitojnë mesatarisht 11.3%. Biznesi i tregtisë, me pakicë, më i përhapuri në vend, ka një kthim mesatar prej rreth 10%.

Bizneset që fitojnë më pak

Agjencitë e udhëtimeve, që kryesisht marrin komisionet e biletave, kanë një fitim të ulët prej rreth 4.1%. Tregtia me shumicë ka një normë fitimi prej 4.1%, por ky aktivitet punon me marzhe të ulëta për shkak të volumeve të mëdha që qarkullon.

Vetëm dy sektorë ishin me humbje në 2019-n, ai i furnizimit me ujë (-0.2%), për shkak të situatës së rënduar të ujësjellësve dhe i inxhinierive të tjera përpunuese (-7.9%)./Monitor