Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, thotë se shumicës së bordeve në ndërmarrjet publike u ka kaluar mandati, porse ai ka vendosur që të mos procedojë me rizgjedhjen e tyre, duke ia lënë këtë proces Qeverisë në ardhje.
“Unë nuk kam proceduar me zgjedhjen e bordeve të reja, edhe në rastet kur kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit, intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekom-it. Po ashtu kam mbështetur sugjerimet partnerëve në procesin e rekrutimit, që në disa raste të ndërpritet edhe procesi i intervistimit të kandidatëve që tashmë kanë aplikuar në konkurset e rregullta për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike. U kam sugjeruar bordeve të përkohshme që të mos shpallin konkurse për zgjedhjen e kryeshefave ekzekutivë. Siç jeni në dijeni, Bordi i përkohshëm i Infrakos-it e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it, edhe pse Zyra ligjore e Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka konstatuar se ka munguar bashkëpunimi me aksionarin dhe ka pasur shkelje të kritereve të konkursit. Unë si ministër u kam kërkuar që procesin ta rikthejnë në pikën zero, por pavarësisht kësaj ata kanë proceduar tutje, duke mos përfillur kërkesat e Ministrisë që është aksionar i kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë ndër të tjera Nitaj.
Nitaj ka thënë se qysh sot do ta propozojë që në mbledhjen e radhës së Qeverisë të hyjë në rend dite shkarkimi i Bordit të Infrakosi-it.
“Për më tepër ky Bord e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it për një mandat 5 vjeçar, ndërkohë që me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në nenin 15.1 përcaktohet që secili drejtor zgjedhet në mandat prej 3 vitesh. Kam kërkuar takim urgjent me Bordin e Infrakos-it për të marrë shpjegimin e tyre, gjë që nuk është realizuar me arsyetimin se kryetari i Bordit nuk ndodhet në Kosovë. Po ashtu kam kërkuar interpretim ligjor edhe në rastin e Postës, nëse ka pasur shkelje në procesin e zgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv dhe jam në pritje të tij”, ka thënë ai.
“Si ministër, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, interpretimin ligjor dhe kompetencat që kam, qysh sot do të propozoj të hyjë në rend dite të mbledhjes së radhës të Qeverisë, shkarkimi i Bordit të Infrakos-it”.