Prokuroria e ka “kursyer” drejtorin, ndërsa e ka arrestuar inspektorin e ATK-së në Gjilan

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës në Gjilan, Alban Qerimi, dhe inspektori Bajrush Bunjaku dyshohet se në bashkëkryerje janë të përfshirë në korrupsion. Me gjithë dyshimet për përfshirjen e të dyve, vetëm inspektori është arrestuar. KOHA ka siguruar provat e këtij rasti. Sipas dosjes, drejtori Qerimi, që është lënë i lirë nga hetuesia, jo vetëm që ishte në dijeni se inspektori po i kërkonte ryshfet një biznesi, por edhe e kishte udhëzuar pronarin e biznesit që paratë e ryshfetit t’i paguante sa më parë.

Dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion. Drejtori i ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi, dhe inspektori Bajrush Bunjaku, sipas dosjes së siguruar nga KOHA, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kërkuar ryshfet nga pronari i një biznesi në mënyrë që të mos i evidentoheshin parregullsitë. KOHA ka siguruar dosjen e hetuesisë për këtë rast. Nga dëshmitë del se autoritetet e hetuesisë e kanë “kursyer” drejtorin, ndërsa e kanë arrestuar inspektorin, ndonëse në kallëzimin penal të dytë dyshohen për bashkëkryerje.Afera e dy zyrtarëve tatimorë ka nisur gjatë inspektimit të një biznesi, emri i të cilit është i njohur për KOHËN. Aty janë evidentuar parregullsi në vlerë të 30 mijë eurove.

Nga ekipi i tre inspektorëve të ATK-së, siç thuhet në dokumentet e siguruara nga KOHA, pretendohet së inspektori Bajrush Bunjaku, pa i vënë në dijeni kolegët e inspektimit, i ka kërkuar pronarit të biznesit 5 mijë euro ryshfet që të mos identifikoheshin këto parregullsi.

Përgjimet sipas dosjes kanë zbuluar se në dijeni për këtë kërkesë ishte edhe drejtori i ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi, i cili madje sipas dokumenteve e kishte udhëzuar të dëmtuarin që t’i paguante këto para.

Reklama e sponzorizuar

Edhe inspektori Bunjaku e edhe shefi i tij Qerimi javën e kaluar ishin shoqëruar në polici nën dyshimet për korrupsion, por vetëm inspektori është arrestuar.

KOHA ka dëshmi që faktojnë se nga hetuesia për të dytë në bashkëveprim kishte dyshime të bazuara për korrupsion. Një gjë e tillë konfirmohet sipas hetuesisë nga përgjimet e incizimet.

Policia sipas dosjes i kishte vënë kamera në trup viktimës, i cili kishte caktuar takim me drejtorin e ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi.

“I dëmtuari dhe i dyshuari Alban Qerimi rreth orës 15:00 janë takuar në lokalin ‘Caffe 2000’, i cili gjendet në Gjilan afër zyrave të ATK-së. Në këtë takim i dyshuari i thotë të dëmtuarit unë ta kom çu Bajrushin, i kam thënë me ta kry punën qysh është më së miri”, thuhet në dosje.

Më tej, siç thuhet në dokumente, përmendet shuma e parave që duhej të paguhej ryshfet.

“Ankuesi thotë se Bajrushi i ka kërkuar 5 e gjysmë, duke aluduar në 5.500 euro me mbyllë krejt, ndërsa i dëmtuari thotë së unë po jua jap 2.000”, specifikohet në dosje.

Me tej në dokument duke iu referuar incizimeve hetuesia pretendon se drejtori i ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi, i thotë viktimës që të bëhet pagesa pa ardhur dikush tjetër nga inspektorët në kontroll, sepse mund të ndryshojë çmimi që duhet të paguajë.

“Albani i thotë kontrolla u kry, kjo punë duhet me u kry se nuk dihet kush vjen dhe sa t’i qesin”, thuhet me tej.

Në të njëjtën ditë në koordinim me hetuesit, pronari i biznesit pajiset me videokamera dhe e pret inspektorin i cili i shkon në biznes. Bunjaku në këtë takim pranon 2.000 euro, numrat serikë të të cilave paraprakisht ishin fotokopjuar nga hetuesia. Policia e arreston në flagrancë inspektorin, ndërsa bastisin shtëpinë e Qerimit, i cili më pas shoqërohet në polici. Por në paraburgim po mbahet vetëm Bunjaku.

KOHA ka kërkuar sqarim nga Prokuroria Themelore në Gjilan se pse është arrestuari vetëm njëri nga ta kur në dokumentet e hetuesisë thuhet se veprat që lidhen me korrupsion këta dy i kanë bërë në bashkëkryerje.

Ndonëse janë përgjigjur me shkrim, ky institucion nuk e ka sqaruar këtë gjë.

“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se më 17 mars 2021, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një inspektor të ATK-së dhe brenda afatit ligjor, ndaj tij ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë sqaruar ata.

Por nuk kanë shpjeguar arsyen e lirimit të drejtorit.

“Drejtori i ATK-së, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, në mungesë të dyshimit të bazuar, ndërsa ndaj të njëjtit është marrë aktvendim për fillimin e hetimit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm për të njëjtën vepër penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

As Administrata Tatimore e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje të qartë me arsyetimin se nuk kanë marrë informacione ende nga prokuroria.

“Administrata Tatimore e Kosovës deri më tani nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë informacion nga Prokuroria, përveç raportit të Policisë së Kosovës. Menjëherë pas njoftimit zyrtar që do të kemi nga institucionet përkatëse do të ndërmarrim të gjitha masat të cilat i parasheh ligji”, ka thënë Valentina Bytyqi-Sefa.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Qerimin në numrin e telefonit që gjendet në dosjen e tij në hetuesi, por ai numër ishte jofunksional. Ndërsa në pyetjet dërguar ATK-së, KOHA ka kërkuar që të njëjtat pyetje t’i përcillen edhe atij, por nuk ka marrë përgjigje.

ATK-ja ditë më parë ka dalë me sqarim në lidhje me Qerimin.

“Bazuar në informacionet e publikuara në media, Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se drejtori regjional i ATK-së në Gjilan, z.Alban Qerimi, është në vendin e tij të punës, sipas përgjegjësive që ka. Si institucion ende nuk kemi pranuar asnjë informacion zyrtar nga institucionet e zbatimit të ligjit, në momentin që do të jemi të njoftuar zyrtarisht do t’ju informojmë në kohë.”, thuhej në reagimin për media.