Qeveria e re do të përballet me greva e kërkesa nga sektori privat

Një varg kërkesash të bizneseve private të mbetura në sirtarë po e presin Qeverinë e re.

Greva të pezulluara në kërkim të përkrahjes financiare, lirim nga pagesa e tatimeve, përkrahje për sektorët e dëmtuar, si gastronomia e transporti, janë sfidat që po presin qeverinë e re.

Shaqir Palushi nga kompania “Frutex” thotë se Qeveria duhet t’i lirojë nga tatimet për një periudhë të caktuar bizneset që janë dëmtuar si pasojë e pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Fatkeqësisht po bëhet më tepër se një vit prej se çka filluar pandemia dhe sigurisht që kjo ka reflektuar në keqësimin e gjendjes në shumë biznese sidomos në sektorë të caktuar, të cilët pothuajse janë para falimentimit dhe po shpresoj që shumë shpejt fillon të bjerë numri i të infektuarve me këtë edhe të ketë mundësi hapjen e biznesit sidomos të gastronomisë dhe të transportit që janë dy prej sektorëve më të atakuar nga pandemia”, ka thënë Palushi.

Ekzekutivi do të përballet edhe me një grevë, e cila përkohësisht u pezullua nga Shoqata e Transportit rrugor të udhëtarëve.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se pezullimi nuk do të thotë që heqin dorë nga kërkesat e tyre për mbështetje nga Qeveria për humbjet në këtë sektor.

“Kjo nuk nënkupton ndërprerjen e grevës; T’i japim kohë Qeverisë në ardhje dhe avancimit të dialogut publiko privat; Jemi të habitur me mosreflektimin e mësimdhënësve për mungesën e nxënësve në shkollë gjatë protestës 5-ditore dhe për çdo vendim tjetër këshilli organizativ i protestës do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Kurtishaj.

Pak ditë më parë, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria në ardhje që të falë gjobat e shqiptuara ndaj bizneseve për shkelje të masave anti-COVID. Kjo pasi siç ka thënë ato gjoba janë tejet të larta dhe bizneset janë dëmtuar shumë si pasojë e pandemisë.

Kërkesë ka qenë edhe shtyrja e daljes në treg të hapur të energjisë së konsumatorëve të mëdhenj, pasi ka ankesa nga bizneset se kjo do të shtrenjtojë çmimin e energjisë për 40 për qind.

Në pritje janë edhe qindra kërkesa të punëtorëve që humbën vendin e punës gjatë pandemisë, e që presin përkrahje nga Qeveria e re ashtu siç u është premtuar me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.