Komuna e Podujevës kthen në pozitë zyrtarin që VV-ja e akuzoi për keqpërdorim.
Dikur e kishin akuzuar për kurdisje të tenderëve, por me të ardhur në pushtet Vetëvendosje në Podujevë e ka kthyer në krye të prokurimit publik Rasim Fejzën.
Ndaj të njëjtit, në tetor të vitit të kaluar, zyrtarët e VV-së kanë ushtruar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Atëkohë sekretari i kësaj partie, tani drejtor i Administratës komunale, Bahri Selimi, e akuzonte Fejzën për shkelje flagrante të Kodit etik dhe Ligjit për Prokurimin Publik.
Fejza nuk ka dashur të flasë para kamerës, por përmes telefonit ka konfirmuar se është kthyer në pozitën si shef i Prokurimit dhe se nga ish-qeveria e LDK-së ishte transferuar përkohësisht në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
“E kanë shfuqizuar transferin dhe më kanë kthyer në vendin ku kam qenë. Mendoj se e kanë bërë që punët të ecin dhe të mos stagnojnë. Unë jam i certifikuar dhe sigurisht e kanë paraparë që nuk është bash ashtu ajo farë pune (kurdisës i tenderëve v.j.)”, ka thënë Rasim Fejza, shef i Zyrës së prokurimit publik në Podujevë.
Zyrtarët komunalë të Podujevës gjatë të hënës kanë heshtur përballë interesimit të KOHËS për rikthimin e Fejzës në pozitën e mëparshme.
Por më 1 tetor 2020, Bahri Selimi, sekretar organizativ i Vetëvendosjes në Podujevë, ishte i bindur se Fejza kishte bërë shkelje flagrante të Kodit etik dhe Ligjit për Prokurim Publik.
Kjo, duke bërë presion ndaj një pronari të kompanisë që të tërhiqej nga një tender, edhe pse ishte më i lirë se i preferuari i Fejzës.
Vetë Fejza e ka quajtur bisedë familjare negociimin e tij me operatorin ekonomik. Duke u munduar të shfajësohet për bisedën e publikuar nga Vetëvedosje, ai ka thënë se atëkohë nuk ka qenë shef i Zyrës së Prokurimit, por ka punuar në Drejtorinë për Shërbime Publike.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës lidhur me kallëzimin e Vetëvendosjes, por kanë munguar pëgjigjet.
Akuza për kurdisje të tenderëve ishin bërë edhe nga vetë tani kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, gjatë shtatorit të vitit të kaluar, duke akuzuar pushtetin paraprak se ua kishte përshtatur tenderët kompanive të afërta me LDK-në, atëherë në pushtet.