Me 1 milion e 198 mijë euro të planifikuara për pagesat për specializantë, të cilët kishin nënshkruar kontratë me MSH-në, nuk kanë mjaftuar që të gjithë specializantët të paguhen ashtu siç kishin nënshkruar kontratën. Që nga muaji dhjetor një pjesë e specializantëve nuk kanë marrë paga, ndërsa Oda e Mjekëve të Kosovës thotë se kjo situatë kaotike është shkaktuar nga planifikimi jo i duhur i Ministrisë. E në MSH nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me numrin e specializantëve dhe si është menduar që ata të paguhen
Në buxhetin e ndarë për këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë janë ndarë rreth 1 milion e 198 mijë për pagat dhe shtesat për 498 specializantë.
Por, nëse llogaritet paga e një specializanti, e cila është rreth 500 euro, atëherë ky buxhet sipas kreut të Odës së Mjekëve do të duhej të ishte shumë i madh.
Sipas Pleurat Sejdiut, MSH-ja përveçse ka dështuar në planifikimin e buxhetit duke lënë shumë specializantë pa pagesa, ajo ka dështuar edhe në ndarjen e specializimeve bazuar në kërkesat e klinikave e spitaleve.
‘Sipas buxhetit, MSH-ja ka buxhet prej 1 milion e 198 mijë eurosh për paga, për një specializant është rreth 500 euro dhe nëse këtë e llogaritim do të duhej të ishin rreth 2 milionë e 900 mijë euro për 498 specializantë. Sipas informatave që i kemi, këta duhet të jenë rreth 800. Kah do t’i marrin këto të holla? Ka dështuar planifikimi, sepse nëse shohim, kemi lëmi për të cilat ne nuk kemi nevojë, kam shikuar në shumë shtete dhe nuk kemi gjetur asnjë shtet ku në dermatologji kanë dhënë specializime për 100 veta, dhe kjo, sepse nuk ka nevojë për një numër aq të madh”, ka thënë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
E në mesin e specializantëve, të cilët kanë punuar që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe nuk janë paguar është Arianit Zajmi, i cili është duke e kryer specializimin në Klinikën e Neurologjisë.
“Kontratën për specializim e kam nënshkruar prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa nuk kam marrë kurrfarë pagese nga MSH-ja. Tash kemi marrë premtime që do të paguhemi prej 1 marsit. Shpresoj që për herë të parë pagën si specializant do ta marr në fund të këtij muaji”, ka deklaruar Arianit Zajmi, specializant.
Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës thotë se ende nuk dihet se sa është numri i saktë i specializimeve të ndara deri më tani.
“Ne kemi pasur dy grupe të specializantëve, të cilët janë ankuar te ne, sepse kanë nënshkruar kontrata dhe kanë mbetur pa paga. Çka është më e keqja, një numër i madh i tyre të cilët kanë mbetur pa paga janë ata të cilët kanë qenë duke punuar në mjekësinë familjare, dhe ata janë detyruar ta lëshojën vendin e punës dhe kanë mbetur pa paga”, ka shtuar Pleurat Sejdiu.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka ndarë 2 milionë e 813 mijë euro, të cilat në buxhet figurojnë si subvencione dhe transfere.
Po ashtu Ministria ka thënë se asnjëherë nuk i ka lënë specializantët pa pagesa, përkundër faktit që ata disa herë kanë protestuar në mungesë të pagesave.
“MSh-ja ka shpallur konkursin në të cilin janë rekrutuar 1500 specializantë dhe nga 1 marsi të gjithë janë në sistemin me pagesë. Pra, edhe kategoritë që fillimisht kanë qenë me vetëfinancim”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.