Telefona të tipit me të ri të markave “Iphone” e “Samsung” në vlerë rreth 300 mijë euro kishte blerë Telekomi për klientët e vet besnikë.
Por në vend së t’u dhuroheshin klientëve këta telefona dyshohet së janë përvetësuar nga Trim Musliu, ish-shef i marketingut në Telekom, i cili deri javën e kaluar ishte pjesë e Qeverisë Hoti në cilësinë e këshilltarit të ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dhe nga Armend Osaj, zëvendësdrejtor i financave në Telekom.
Në ndihmë në kryerjen e veprave penale, siç ka mësuar KOHA, dyshohet se u kanë dalë edhe Kushtrim Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut, e Denis Ceman, ish-këshilltar i ministrit Agim Veliu.
Prokuroria e Policia përmes një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se ish-zyrtarët e Telekomit janë arrestuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë” e “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Ndërsa Denis Ceman e Kushtrim Musliu janë arrestuar mbi dyshimet për përfshirje në veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
Siç mësuar KOHA nga burimet brenda Prokurorisë së Shtetit, vitin e kaluar menaxhmenti i përkohshëm në Telekom kishte denoncuar këtë kontratë të dyshimtë në Policinë e Krimeve Ekonomike, të cilët me pas kanë ndërmarrë veprime hetimore.
Kontrata ishte nënshkruar në vitin 2019.
Trim Musliu e Armend Osaj, sipas këtyre burimeve, dyshohet së kanë keqpërdorur këtë kontratë duke krijuar dokumente fiktive në emër të personave dhe kompanive të caktuara kinse këto shërbime, sipas kontratave, u janë ofruar atyre.
Me pas , sipas burimeve, janë përfshirë edhe Kushtrim Musliu e Denis Ceman.
Të dytë në bashkëveprim dyshohen se gjatë vitit 2020 kanë kontaktuar me palë me qëllim të sigurimit të marrjes se vulave dhe nënshkrimeve nga klientët, të cilët ishte dashur t’i merrnin telefonat, në mënyrë që të kenë mbulesë për shpërndarjen e telefonave.
Kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë këtë ndërmarrje në detaje.
“Inkuarojmë të mos ndalen, sepse në Telekomin e KOsovës ka edhe kontrata të tjera të dëmshme dhe falë atyre e kanë shkaktuar këtë ndërmarrje”, ka thënë Balaj.
Telekomi është futur në borxhe të mëdha për shkak të dyshimeve për keqpërdorime që lidhen kryesisht me nepotizëm e kontrata të dëmshme.