Tenderi 7 milionë eurosh për insulina, katër muaj pa rezultat

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë nuk po mund të procedojë me tenderin për furnizim me insulina analoge nëpër institucione shëndetësore. Kjo pasi fituese fillimisht ishte shpallur një kompani që nuk kishte autorizim marketingu për insulinën e ofruar. E, pas një ankese, tenderi i ishte dhënë kompanisë që e kishte autorizimin për marketing. E, ky tender tashmë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për shkak të ankesës së kompanisë së eliminuar.

Një tender në vlerë prej 7 milionë eurosh për furnizim me insulina, i hapur nga Ministria e Shëndetësisë që nga dhjetori i vitit të kaluar, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ndonëse MSH-ja e kishte kufizuar në 20 ditë afatin për dorëzimin e ofertave në mënyrë që institucionet të furnizoheshin sa më shpejt me këtë lloj insuline, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

E gjithë situata është krijuar pasi fituese ishte shpallur një kompani që më pas doli se s’kishte autorizim marketingu për insulinën e ofertuar në tender.

Reklama e sponzorizuar

Kompania “Pharma Leader” ishte shpallur fituese për lotet 1 dhe 3, të cilat kapnin vlerën e rreth 5 milionë eurove.

Ndërsa kompania tjetër “Meditech” ishte shpallur fituese për lotin e dytë, në vlerë prej 913 mijë eurosh.

Por, pas një ankese të kompanisë “Meditech”, që kishte autorizim për marketing, lënda ishte kthyer në rivlerësim dhe asaj i ishte dhënë tenderi, i cili më pas përfundoi në Gjykatën e tenderëve në OSHP.

Është pikërisht kompania “Pharma Leader” e cila ka deponuar një ankesë në OSHP, me pretendimet se ajo është eliminuar padrejtësisht.

Në ankesë, kjo kompani e ka pranuar se produkti i saj nuk ka paralele të regjistruar në Kosovë, andaj duhet të importohet bazuar në udhëzimin administrativ për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Kosovë.

Kompania “Pharma Leader” pretendon se MSH-ja, duke e shpallur fituese kompaninë tjetër, e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, pasi kjo kompani kishte ofertuar për këto dy lote për 400 mijë euro më pak.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se kishte shpallur kompaninë “Pharma Leader” si fituese të dy loteve të tenderit, përkundër faktit se nuk kishte autorizim marketingu për këtë produkt.

Sipas MSH-së, ajo ishte shpallur bazuar në sqarimet e dhëna nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, e cila kishte thënë se produkti i tyre mund të importohej bazuar në udhëzimin administrativ për këtë gjë dhe se më pas lënda ishte kthyer në rivlerësim.

Megjithëkëtë, kompania “Pharma Leader” ka thënë se është eliminuar nga tenderi për shkak të interpretimit të gabueshëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas “Pharma Leader”, AKPPM-ja ia kishte dhënë dritën jeshile për këtë produkt, që ai të importohej bazuar në udhëzim administrativ.

Ndërsa kompania tjetër “Meditech”, së cilës i ishte dhënë tenderi pas ankesës, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se vetëm pas ankesës është rekomanduar për kontratë dhe se ka autorizim marketingu për të tria insulinat e ofertuara.

KOHA ka pyetur QKUK-në dhe QKMF-në në Prishtinë për të parë furnizimin me këtë lloj të insulinës.

Derisa QKUK-ja, përmes një përgjigjeje të shkurtër e pa dhënë sqarime të detajuara, ka thënë se furnizimi me insulina për momentin është i qëndrueshëm, shefi i barnatores në QKMF në Prishtinë, Fatos Aliu, ka thënë për këtë muaj ata nuk janë furnizuar me insulinën analoge me veprim të zgjatur.