Nga Qeveria e re po kërkohet që të përkrah bizneset të cilat kanë humbur materialisht gjatë kohës së pandemisë. Pronarë të bizneseve të dëmtuara, kërkojnë ndihma konkrete materiale për fitimin e humbur, ndërsa përfaqësues të Aleancës Kosovare të bizneseve thonë se, Qeveria e re i ka numrat e mjaftueshëm për të shtyrë përpara këto procese.
Enkelejda Shatri, udhëheqëse e dy bizneseve tregon se gjatë kohës së pandemisë, njëri biznes i saj nuk ka pasur humbje, ndërsa biznesi i luksit, siç e quan ajo, ka pasur humbje shumë të mëdha. Shatri e cila është pronare e Akademia Evolucion, i tha Radio Kosovës se ka investuar shumë në përgatitjen profesionale të punëtorëve të saj, por në mungesë të buxhetit, disa prej tyre nga stafi ndihmës dhe shitës, është dashur t’i largoj nga puna.
“Çdo atelie ka mënyrën e punës së vet dhe kur e merr një punëtor investon deri 1 vit për të mësuar të punojë sipas kërkesave tona. Dhe ne nuk kemi pasur interesin për të larguar punëtorin nga puna sepse e kemi të vështirë t’i rikthejmë pastaj. Kurse një pjesë e stafit ndihmës dhe shitës është dashur të largohen”, tha ajo.
Shatri tha se nuk ka marrë nga Komuna as kompensimin e pagesës së qirasë për lokalet, ani pse emri i ka figuruar në listë si përfituese.
Ajo i rekomandon Qeverisë së re, të bëjë ekspertizë se sa punëtorë kanë humbur vendin e punës dhe sa humbje kanë pësuar kompanitë. Ndërsa kërkoi që t’u ofrohen lehtësira bizneseve.
E kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, tha se Qeveria e re tashmë i ka numrat për t’i shtyrë përpara të gjitha proceset ekonomike e sociale. Ai shtoi se në mungesë të ligjeve, Kosova ka përfituar fare pak nga Fondet Ndërkombëtare kundër Covid19.
“Qeveria të bëhet urë lidhëse me organizatat financiare ndërkombëtare për mbështetjen e ekonomisë duke i zhvilluar politikat ekonomike dhe sociale për shkak se vendi është thelluar në krizë. Prandaj qeveria duhet të promovoj besim e bashkëpunim me sektorin privat”, tha ai.
Kurse Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve Evropian tha se Qeveria e ka një ligj për rimëkëmbje ekonomike i cili për shkak të pakënaqësive, duhet të rishikohet.
“Mos të vonohen në zbatimin e masave të cilët për bizneset janë shumë të rëndësishme”.
Ujkani thotë se ka mekanizma të ndryshëm përmes lehtësirave të ndryshme të karakterit fiskal apo jo fiskal por që qeveria duhet t’i planifikoj mirë.