Të gjithë ata që nuk kanë dijeni mbi termin “intervistat e qëndrimit”, ndryshe nga “intervistat e largimit”, ato bazohen në biseda të ndershme dypalëshe midis menaxherit dhe punonjësit, ku secila palë duhet të dëgjojë, të bëjë pyetje dhe të pranojë të ndjekë idetë dhe planet e veprimit.
Kjo është një prej metodave më të mira që do të ndikojë që punonjësit tuaj më të mirë të mos e “braktisin anijen tuaj”. Intervistat e qëndrimit përdoren qëllimisht për të marrë informacione të reja për përmirësimin e mjedisit të punës, në mënyrë që punonjësit të ndihen sa më mirë dhe të mos largohen.
Ndikimi i vërtetë i “intervistave të qëndrimit” është në besimin që ndërton para se të rikthehet batica. Drejtuesit të cilët kujdesen mjaftueshëm për të bërë një ndryshim në jetën e punonjësve të tyre do të bëjnë pyetjet e duhura, duke marrë një ide për atë se çfarë funksionon dhe nuk funksionon për ta. Dhe pastaj të bëjnë patjetër diçka për ta ndryshuar atë.
Pyetjet e duhura për të bërë
Për ta bërë procesin të thjeshtë dhe joformal, këtu janë pesë pyetje që u rekomandohen liderëve dhe menaxherëve, në mënyrë që të sigurojnë rifitimin e atyre punonjësve të zhgënjyer dhe të paangazhuar që janë aq vendimtar për suksesin e biznesit.
-
- “Çfarë të pëlqen nga puna jote?” Përdoreni këtë pyetje për të vendosur tonin e duhur të bisedës dhe për ta filluar me “nota pozitive”. Kjo ndihmon një drejtues të kuptojë rolet e punës që punonjësi dëshiron të bëjë më shumë.
- “Përshkruani një ditë të bukur pune që keni pasur kohët e fundit”. Bëjini ata të sjellin ndër mend kujtimet e tyre, duke marrë shembuj specifikë dhe tregime të përvojave të bukura që kanë pasur, për t’ia përsëritur këtë përvojë, në mënyrë që çdo ditë t’i ngjajë asaj.
- “Si e keni imagjinuar punën tuaj të ëndrrave?” Qëllimisht bëjeni këtë pyetje për të dëgjuar se çfarë është më domethënëse për punonjësin. Nëse ata shprehen se nuk kanë fleksibilitet ose burime të mjaftueshme për shëndetin mendor, kini parasysh që të analizoni ekuilibrin mes jetës dhe punës në kompaninë tuaj dhe nëse nevojat e tyre po plotësohen gjatë pandemisë.
- “Çfarë ju pëlqen ose nuk ju pëlqen në lidhje me mundësitë e zhvillimit profesional në dispozicionin tuaj?” Kjo pyetje është thelbësore për t’u siguruar që punonjësit nuk po qëndrojnë “në vend numëro” dhe se kanë përpara shumë rrugë për të bërë e për të mësuar gjera të reja, të cilat do të ndikojnë pastaj për t’i rritur ata profesionalisht. Një nga arsyet kryesore për largimin dhe zëvendësimin e punonjësve është mungesa e investimeve në zhvillimin e karrierës së tyre.
- “A mendoni se aftësitë tuaja po përdoren në maksimum?” Imagjinoni sikur të zbuloni se punonjësi juaj ka aftësi që nuk i dinit. Duke bërë këtë pyetje, punonjësi fiton duke prezantuar pikat e forta personale, ndërsa ju si lider fitoni duke i ofruar mundësi të reja për të shfrytëzuar ato pika të forta, nga të cilat do të përfitojë kompania, projekti ose ekipi juaj. /INC/